"Politikan psikopat, e kam për atë që keni në mendje"
Nga Mustafa Nano

Ne të gjithë i kemi mbushur mendjen vetes se me të mbushur 18 vjeç, bëhemi automatikisht të rritur dhe harrojmë se në këtë mes kemi të bëjmë me një konvencion. Me fjalë të tjera, nuk është se domosdoshmërisht në këtë moshë bëhemi të rritur. Thjesht kemi rënë dakord të quhemi të rritur. Kemi rënë dakord, sepse na duhet të përcaktojmë një moshë kur bëhemi burra/gra, në mënyrë që të zgjidhim ca probleme të natyrës praktike që kanë të bëjnë me pyetjet: Kur i duhet robit të martohet, të votojë për herë të parë, t’i njihet e drejta për të pirë një gotë alkool, për t’i dhënë makinës e në përgjithësi për të marrë vendime të rëndësishme e për të mbajtur përgjegjësi për vendimet që merr? Dhe në këtë funksion, mosha 18- vjeçare është përcaktuar si momenti i kalimit nga fëmija tek i rrituri. Por përsëris, nuk është se të gjithë janë të rritur në këtë moshë. Ka ca që rriten edhe përpara kësaj moshe, ka të tjerë që rriten shumë më vonë, e ka edhe ca të tjerë që nuk rriten kurrë.

Sa thashë më sipër, mund të jetë një gjë, me të cilën mund të biem dakord pa ndonjë problem, nisur nga përvoja. Por nga dje, këtë e thotë edhe shkenca. Disa neuroshkencëtarë kanë provuar apo konfirmuar se truri i njeriut në moshën 18-vjeçare është në zhvillim e sipër, se në të njëzetat njeriu është ende në një proces pjekjeje mendore dhe për rrjedhojë është lehtësisht i prekshëm edhe nga çrregullime të shëndetit mendor, nga frikëra, pasigurira, strese, ankthe, halucinacione e gjendje të tjera më të rënduara psikotike. E me këtë, prindërit duhet të nxjerrin mësimin se shpesh nuk ka pse të alarmohen kur shohin fëmijët e tyre në të njëzetat që janë ende fëmijë, që janë ende të dobët, të brishtë, të cenueshëm, të rrëzueshëm, që nuk dinë çfarë bëjnë e pse e bëjnë.

Ata thjesht janë duke u pjekur. Dhe vetëm në të tridhjetat, si rregull, truri i tyre mund të quhet tërësisht i zhvilluar.

Me këtë zbulim shkencor duhet të ndryshojnë edhe shumë gjëra, por mbi të gjitha duhet të ndryshojë qasja jonë. Do duhet të fokusohemi jo te grupet e njerëzve, siç jemi mësuar të bëjmë, por tek individët, sepse secili individ ka një rrugë të tijën pjekjeje mendore, sepse kalimi nga fëmija te burri/ gruaja nuk bëhet tak-fak, por bëhet i nuancuar, është një tranzicion i tërë që zgjat me vite e në ndonjë rast me dekada. E në ndonjë rast tjetër akoma, ky tranzicion nuk ka të mbaruar. Pak të rritur kemi parë ne që sillen si fëmijë? Një ilustrim: E gjithë jeta politike në Shqipëri është e mbushur me të rritur të kapur nga sindroma e Peter Panit, d.m.th. me të rritur që kanë mbetur fëmijë në atë Neverlandin e tyre. Dhe jo thjesht fëmijë trazovaçë e të llastuar si Peter Pani, por fëmijë të këqij, rrugaçë, të rrezikshëm, të cilët janë kapur pas lodrës që kanë zbuluar në një moshë të caktuar, pas politikës pra, dhe nuk duan ta lëshojnë këtë lodër nga duart. Dhe ju me siguri keni pyetur veten gjithë këto kohë: Si ka mundësi që sillen kështu? Hëm, në rastin më të pafajshëm, janë ende fëmijë. Nuk janë rritur. Dhe halli është se disa prej tyre nuk po japin shenja se mund të rriten. Do të vdesin pa u rritur. Dhe një i rritur që vdes fëmijë është një problem. Në rrethana normale është një problem për pak vetë, vetëm për familjen apo miqtë e tij. Por kur kapet pas lodrës, për të cilën unë fola, ai bëhet një problem për një komb të tërë. Lëre pastaj kur këtë lodër nuk e lëshon nga duart, jo sepse është fëmijë, por sepse është psikopat. Një i rritur psikopat. Për kë e kam fjalën? E kam për atë që keni ju në mendje. Po, po, për atë e kam.
Shtuar më 20/03/2019, ora 12:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori