Policia, zyra shërbimi për qytetarët
Pëlqej
Policia e Shtetit gjatë këtyre dy ditëve ka organizuar një seminar trajnimi me 85 efektivë policie, të cilët do të punojnë për shërbimin ndaj qytetarëve.

Ky seminar i cili u realizua në bashkëpunim me projektin Mbështetja Suedeze për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit, ka trajnuar punonjësit e policisë që do të punojnë në Zyrat e Shërbimit për Qytetarët.

Këto zyra do të funksionojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në Drejtoritë e Komisariatet e Policisë në të gjithë vendin.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë Altin Qato, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e mbylljes së këtij trajnimi 2-ditor, theksoi se ky projekt është në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

Ndërsa, drejtori i Policisë së Tiranës, Ardian Çipa, ndër të tjera theksoi se nëpërmjet implementimit të këtij projekti synohet parandalimi dhe shmangia tërësore e korrupsionit në radhët e punonjësve të policisë, pasi është një projekt që e shmang tërësisht kontaktin e punonjësit të policisë vendimmarrës me qytetarin, pasi qytetari do të marrë shërbimin e kërkuar në vendin dhe afatin e përcaktuar.

Në këtë seminar 85 punonjësit e policisë u njohën me procedurat që do të ndiqen dhe zbatohen gjatë pritjes së qytetarëve.

Në Zyrat e Shërbimit për Qytetarët, të cilat do të funksionojnë në bazë të parimit “one stop shop”, për të gjitha shërbimet administrative, që ofron policia, qytetari do të paraqitet vetëm një herë për të dorëzuar kërkesën dhe do të njoftohet për ditën, që do të marrë shërbimin e kërkuar.

Ndërsa për shërbimet procedurale penale, ku qytetari në çdo kohë, 24 orë në 24, do ti ofrohet shërbimi i duhur profesional në lidhje me ankimet, njoftimet, kallëzimet, deklarimet, ai do të pajiset me kopje të këtyre akteve, si dhe do të marrë numrin unik, nëpërmjet të cilit merr informacionin e nevojshëm mbi ecurinë e çështjes.
Shtuar më 09/09/2014, ora 16:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori