Policia: Vrasja e kamerierit u krye para se të denoncohej vjedhja e parave
Pëlqej
Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë hodhi sot poshtë hipotezat e ngritura në një prej mediave online, se uniformat blu kanë qenë në dijeni të kërcënimeve që pasur viktima D.V. nga pronarët e lokalit “Shija e detit”, të cilët tashmë janë arrestuar si autorë të vrasjes së 28-vjeçarit.

Sipas njoftimit të policisë në sallën operative, në numrin pa pagesë 129, apo drejtpërdrejt te specialisti i policisë në zonë, nga viktima D.V., nuk ka pasur asnjë kallëzim apo njoftim për kërcënime nga pronarët e lokalit në drejtim të tij.

Sipas verifikimeve të kryera nga policia, njëri nga pronarët e lokalit, Altin Imeraj, ka telefonuar në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Vlorë, më datë 14.04.2014 në orën 05.09 dhe ka denoncuar humbjen e një shume prej 500.000 lekësh të rinj. Uniformat blu të qytetit bregdetar kanë dyshime të forta se vrasja është kryer para se të denoncohej shuma e zhdukur.

“Me marrjen e këtij njoftimi një grup i përbërë nga një specialist i hetimit të krimit dhe një ekspert kriminalist kanë shkuar në fshatin Dhërmi në orën 07:00 ku kanë kryer veprimet procedurale në lidhje me kallëzimin për humbjen e parave.

Trupi i D.V. është gjetur rreth orës 10.50. Ekspertiza mjeko-ligjore do të saktësojë orën e saktë të vrasjes së tij, por nga hetimet paraprake ka dyshime të bazuara se 28-vjeçari është vrarë përpara se në sallën operative të denoncohej humbja e shumës prej 500 mijë lekë”, thuhet në njoftimin e policisë. /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 17:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori