Policia sekuestron antitank dhe mitraloz në Lazarat (FOTO-LAJM)

Update- Publikohen detaje te reja lidhur me operacionin e policisë në Lazarat. Sipas njoftimit të MPB-së nga kontrollet e zhvilluara nga efektivët, në ambientet mbi depon e ujit në qendër të fshatit Lazarat, gjatë ditës së sotme është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i 1 antitanku, një mitrolozi dhe një sasi e madhe fishekësh e municioni mitrolozi.

"Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat e policisë është bërë arrestimi i shtetasit Telha Ramazan Gjyli, pasi gjatë kontrollit të zhvilluar nga strukturat e policisë gjatë ditës së djeshme në banesën e tij në fshatin Lazarat u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 590 fishekë, nga të cilët 520 fishekë Ak-47 dhe 70 fishekë pistolete TT. Po ashtu i janë sekuestruar dhe 23 karta telefonike sim, 4 telefona celular, dy targa të huaja etj. Materialet procedurale në ngarkim të këtij shtetasi i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë nën akuzën e konsumimit të veprës penale parashikaur nga neni 278 i Kodit Penal." thuhet ne njoftim.

Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjesimin e një sasie mbi 23 ton e 404.1 kg kanabis sativa, si dhe të rreth 81.300 rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.
Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 4 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit , si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë, nga të cilat 17 armë të rënda, si dhe 2 armë gjahu.


Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 15 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, prodhim e shitje të narkotikëve, kundërshtim të punonjësve të policisë, për shkatërrim prone apo mbajtje pa leje të armëve e municionit luftarak.

09:51 Policia e Shtetit ka vënë nën kontroll qendrën e Lazaratit ndërsa sot ka rifilluar aksioni për asgjësimin e kanabisit. Forcat RENEA kanë avancuar deri në qendrën e fshatit, duke vijuar kontrollin në banesa, ndërkohë që paralelisht vijon edhe asgjësimi i marijuanës.

Autoblindat e policisë ndodhen në qendër të Lazaratit, ku për momentin nuk ka të shtëna. Ndërsa banorët e fshatit vijojnë të qëndrojnë në shtëpi, pas apelit të policisë për të shmangur daljet për shkak të rezistencës së armatosur të grupeve kriminale që veprojnë në zonë. Operacioni i policisë po ndiqet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi. /albeu.com/


Shtuar më 20/06/2014, ora 10:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori