Policia u bën gjëmën shoferëve, çfarë ndodh tani nëse kapesh me alkool
Organet e rendit janë duke marrë masa të reja kundër përdoruesve të alkoolit duke përfshirë edhe uljen e përqindjes së lejuar. Aktualisht përqindja e lejuar e alkoolit në gjak është 0.02 për qind.

Ajo që parashikohet është ulje e mëtejshme e këtij limiti, kryesisht për shoferët e automjeteve të rënda të transportit të pasagjerëve dhe të mallrave, si dhe për shoferët e rinj në moshë ose rishtarë, shkruan "Panorama".

Një tjetër risi është fakti që për të rinjtë nën 21 vjeç është menduar që toleranca të jetë zero, çka do të thotë se konsumimi i alkoolit në këto grupmosha do të jetë rreptësisht i ndaluar. Një ndër praktikat që po shqyrtohet për t’u aplikuar edhe në vendin tonë është ajo për instalimin e frymë­testuesve. Këto të fundit janë aparate që nuk lejojnë ndezjen e makinës nëse shoferi është nën efektin e alkoolit.

Megjithatë, kjo është një masë që është menduar për ata të cilët në mënyrë të përsëritur janë shkelës të ligjit. “Instalimi obligues i këtyre aparateve në makinat e ish­të dënuarve që kanë drejtuar automjet në gjendje të dehur po rezulton i efektshëm në uljen e incidencave të përsëritura”, nënvizohet në strategji.

Sakaq, parashikohet edhe intensifikim i kontrolleve nga ana e uniformave blu. “Policia mund të ndalojë të gjithë ose një pjesë të caktuar të shoferëve, ndërkohë që testi i frymëmarrjes mund të imponohet nëse policia ka arsye për të dyshuar se shoferi është i pirë”.
Shtuar më 24/04/2017, ora 18:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori