Policia nis procedimin penal për motrën e Anjezës që kërcënoi gazetaren e Albeu.com
Policia e Tiranës tashmë ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për motrën e Anjeza Shabanit, administratoren e kopshtit “Diren”, e cila ndodhet në burg për dhunën e ushtruar ndaj një fëmije 3-vjeçar.

Motra e saj, Dajana Deda, është kallëzuar për kanosje në Komisariatin nr.1 ditë më parë, nga gazetarja Marsela Sinani.

Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit kanë deklaruar se iu referuan materialet hetimore në Prokurorinë e Tiranës për 27 vjeçaren Dajana Deda.

“Procedimi penal për shtetasen Dajana Deda, banuese në Tiranë nisi pasi nëpërmjet rrjeteve sociale, për motive të dobëta, ka kanosur shtetasen Marsela Sinani, 29 vjeçe”, thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.

Sipas kallëzimit që gazetarja Sinani ka bërë në Polici, ka shpjeguar se kanosjet dhe fyerjet nga ana e Dajana Dedës kanë nisur pasi kishte bërë një koment për rastin e dhunës ndaj fëmijës 3 vjeç nga ana e Anjeza Shabanit, motrës së saj.

“Nëse zemërimi matet me liket e komentet në rrjetet sociale, pa diskutim që 33 vjeçarja Anjeza Shabani do të thyente rekordet. Emri i saj u lakua për orë me radhë, u kthye në kryefjalë të ditës pas keqtrajtimit barbar të një fëmije vetëm 3 vjeç. Pas atij fëmije fshihej zemra e çdo nëne e jo vetëm. Në ato të pakta raste, fjalori mori ngjyrime të shumta, ku etika i kishte thyer rregullat”, thuhet në një pjesë të komentit të bërë nga gazetarja Sinani.

Motra e Shabanit i është përgjigjur me një mesazh fyes dhe në formën e kanosjes, duke i thënë se: “A e di ti që do mbash përgjegjësi për çfarë ke thënë? Nëse nuk e di, po ta them unë. Morracaket si ti unë i shtyp me këmbë, dhe kam qejf të hasemi një herë bashkë! Për çdo njeri që ka cenuar imazhin tim, ka bërë gjyqin publik, u them të gjejnë një avokat të mirë! Bëhu gati edhe ti”, shkruante Dajana Deda në një prej mesazheve të saj./albeu.com/
Shtuar më 08/07/2016, ora 13:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori