14 vite nga tragjedia e Gërdecit, ende askush në burg për vdekjen e 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë

Dita e sotme, 15 marsi i vitit 2022 shënon plot 14 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku në fabrikën e demontimit të armëve humbën jetën 26 persona, rreth 300 të tjerë u plagosën, ndërkohë që dëmet materiale ishin të panumërta.

Çdo përvjetor të kësaj tragjedie, familjarët e viktimave zhvillojnë homazhe te Memoriali i viktimave, në periferi të fshatit Gërdec, të cilët ende kërkojnë drejtësi për njerëzit që humbën. Tragjedia ka mbetur pa përgjegjës dhe askush nuk ndodhet në qeli.

Prej tetorit 2021 Gjykata e Lartë i pranoi SPAK kërkesën për marrjen e pandehur të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Nga ai moment edhe pse SPAK njoftoi kryerjen e veprimeve dhe marrjen në pyetje të Mediut kjo ende nuk ka ndodhur.

Dosja voluminoze prej 90 fashikuj e Gërdecit hetuar përgjatë 2008-2009 është tërhequr nga arkiva dhe ndodhet në SPAK.

Gjykata e Lartë ka rrëzuar pak javë më parë rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar.

Apeli i GJKKO, më 24 shtator mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda./albeu.com


Shtuar 15.03.2022 09:21