Policia ndal protestat e serbeve ne Mitrovice
Albeu.com
Pjesëtarë të policisë së misionit të EULEX-it kanë përdorur të shtunën gazin lotsjellës për të shpërndarë një grup të protestuesve serbë në lagjen Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës. Zyrtarë të Policisë së Kosovës, thanë për BBC-në se gazi lotsjellës u përdor për të parandaluar përplasjen e protestuesve serbë me punëtorët që po kryejnë punimet në rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë.

Procesi i rindërtimit të shtëpive në këtë lagje, rifilloi pas një numri protestash të banorëve serbë që kërkuan ndalimin e punimeve, në siç vlerësohet, vijën ndarëse të qytetit.

Policia e Kosovës dhe pjesëtarët e policisë së misionit evropian për drejtësi dhe polici, shpërndanë edhe të premten një grup prej 100 protestuesish serbë duke përdorur gazin lotsjellës.

Banorët shqiptarë të lagjes Kroi i Vitakut, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar në vitin 1999, kanë kërkuar kthimin në vendet e tyre.

Punimet në rindërtimin e shtëpive u parandaluan nga serbët lokalë vitin e kaluar, dhe një numër syresh u lënduan pas përplasjes me banorët shqiptarë.

Autoritetet policore thonë se kanë vënë situatën nën kontroll, ndërkohë që serbët lokalë, pas mosarritjes së një marrëveshjeje me përfaqësuesin e UNMIK-ut në Mitrovicë, kanë paralajmëruar protesta të vazhdueshme deri në ndalimin e punimeve. /lajm/
Shtuar më 26/04/2009, ora 05:07
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori