Kurti i drejtohet Thaçit ”dhelpër”: Ka politikanë që duan gjakderdhje për të ndarë Kosovën (VIDEO)

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook, deklaroi se ka politikanë në Kosovë që duan konflikt për të çuar përpara idenë e shkëmbimit territorial me Serbinë.

“Po, ka politikanë e zyrtarë të lartë në Beograd që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit. Mirëpo ka politikanë e zyrtarë të lartë edhe në Prishtinë që duan konflikt në Kosovë, sidomos në veri të Ibrit.

Ata duan të provojnë tensione sepse duan incidente. Projekti i tyre i shkëmbimit territorial sikur të realizohej do të shkaktonte konflikte e gjakderdhje të reja. Ai projekt dështoi. Tash duan konflikte e gjakderdhje në terren për t’u rikthyer te shkëmbimi territorial, përkatësisht te ndarja e Kosovës. Krejt njëjtë është edhe ajo intenca për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme me çdo kusht e çmim. Pasi që nuk arritën ta shpallin për ta bërë, duan ta bëjnë që ta shpallin”, ka thënë Kurti.

Po ashtu, Kurti ka thënë se “atyre që kontribuuan për ndarjen e Mitrovicës dhe e lanë të pazhvilluar e në mjerim për mbi dy dekada mos ju besoni tash kur kërkojnë sovranitet e integritet nga qeveria që e rrëzuan pa i bërë as dy muaj në detyrë”.

Kurti e ka krahasuar presidentin Thaçi me “dhelprën që kur i digjej bishti thoshte se po digjet e gjithë bota”.

“Edhe deklarimet e Presidentit që po sillet si njëri nga liderët opozitarë merrni me rezervë e qetësi. E dini thënien e urtë të popullit tonë se kur dhelprës po i digjet bishti ajo thoshte se po digjet e gjithë bota. Dhelpra po e tund bishtin e djegur që të na djegë gjithë vendin tonë. Mirëpo, jo nuk do ta lejojmë”, ka thënë Kurti.


Shtuar 5.04.2020 12:51