Policia e Shtetit feston 100-Vjetorin
Policia e Shtetit feston sot 100 vjetorin e krijimit të saj. E krijuar më 13 janar të vitit 1913, pak javë pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Policia shqiptare ka përshkruar një rrugë të gjatë, duke u përballur me sfida të mëdha, transformime rrënjësore si në aspektin strukturor e organizativ, ashtu dhe në atë legjislativ e konceptual, për të ardhur në ditët e sotme, si një strukturë e rëndësishme e shtetit, që aplikon filozofinë bashkëkohore të Policimit në Komunitet.

Në këtë përvjetor jubilar, janë parashikuar për t'u zhvilluar një sërë aktivitetesh, të cilat nisin mëngjesin e së dielës në Shkollën e Policisë, me kujtimin dhe nderimin e heronjve të Policisë, e që vazhdojnë me kumtesa e takime për historikun e Policisë, sfidat e saj, etj. Me këtë rast, në Tiranë është parashikuar edhe një paradë e trupave elitare të Policisë së Shtetit.

Historiku i Policisë së Shtetit
Policia shqiptare, e krijuar më 13 janar të vitit 1913, është ndër institucionet e para të krijuara me një akt të posaçëm të kryeministrit të asaj kohe të Qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali.

Në qershor të po atij viti u vendos për herë të parë uniforma e rregullt kombëtare e xhandarmërisë. Ndërsa në vitin 1919, për herë të parë u krijua Drejtoria e Përgjithshme e Qetësisë Publike, si dhe u ngritën 14 zyra të policisë në prefektura e nënprefektura.

Regjimi mbretëror i dha një status të veçantë policisë dhe xhandarmërisë. Në atë kohë u formuan disa polici si, ajo e Sigurisë Publike, Policia Bashkiake, Policia Rurale dhe Policia Kufitare. Fundi i vitit 1944 e gjeti Shqipërinë nën një regjim të ri.

Komunistët vendosën pushtetin e tyre ushtarak në të gjithë vendin. Pas miratimit të statutit të RPSH-së, me ligjin e 9 dhjetorit 1946, Policia Popullore u përcaktua si organ ekzekutiv i administratës shtetërore dhe ishte një prej organeve të diktaturës së proletariatit, e ndërtuar sipas parimeve marksiste – leniniste, të luftës së klasave, vijës së masave, etj.

Përmbysja e sistemit komunist dhe vendosja e sistemit demokratik pas vitit 1991, solli ndryshime të rëndësishme edhe në Polici. Nga prill i vitit 1991 u krijua Ministria e Rendit Publik dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Nga viti 1991 e deri më sot, Policia shqiptare ka pësuar ndryshime të rëndësishme përsa i përket strukturës dhe mënyrës së organizimit për parandalimin e krimit, si dhe për t'u ndjerë më afër qytetarëve të saj.

Nga viti 2006 e në vijim me synim për të sjellë ndryshime cilësore në funksionimin e strukturave të Policisë së Shtetit u ideua e realizua një proces i tërë reformimi, i cili synonte krijimin e standardeve më të mira për rritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të policisë, si dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ofruar ndaj komunitetit.

Ky proces u zhvillua jashtë ndikimeve politike në përzgjedhjen e personelit, si dhe me asistencën e misioneve të huaja PAMECA, ICITAP dhe OSBE. Tashmë, përqafimi i filozofisë së policimit në komunitet nga Policia e Shtetit mundëson përfitime të cilat konsiderohen thelbësore si: ndryshim të mendësisë, krijimin e një kulture moderne menaxhimi, ndërtimin e partneritetit, përmirësimin e infrastrukturës, krijimin e një imazhi në rritje për Policinë e Shtetit, duke e lidhur këtë dhe me krijimin e besimit. /albeu.com/
Shtuar më 13/01/2013, ora 10:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori