Policia e Kosoves do ta ruaje monumentin ne Gazimestan
Albeu.com
Në procesin e transformimit të misionit të KFOR-it në Kosovë, në një prani „parandaluese“, NATO-ja së shpejti do ta bartë në duar të Policisë së Kosovës ruajtjen e disa objekteve kulturore dhe fetare në Kosovë, të cilat ...... janë në listën e objekteve të identifikuara si objekte me rëndësi të veçantë dhe me nevojë të mbrojtjes së veçantë. Fjala është për listën e shumë manastireve ortodokse serbe dhe për disa monumente të tjera.
Sipas burimeve diplomatike në NATO, objekti i parë i cili do t’i besohet për ruajtje forcës policore të Kosovës pritet të jetë Monumenti i Betejës së Kosovës në Gazimestan.
Burimet në NATO pohojnë se ndër kushtet për dorëzimin e detyrës për ruajtjen e objekteve me ndjeshmëri të veçantë në Kosovë është që edhe përbërja e personelit që do t’i ruajë ato të jetë multietnike.
Disa burime pohojnë se ruajtja e Monumentit të Gazimestanit është zgjedhur si testi i parë për shkak se ky objekt është më i lehtë për t’u ruajtur, pasi aty nuk jeton askush dhe pjesa rreth monumentit është kryesisht e pabanuar. Në NATO pohojnë se edhe besimi mes grupeve etnike në Kosovë është rritur, situata e sigurisë është përmirësuar dukshëm dhe kjo duhet të shihet si arsye shtesë pse vetë institucionet e Kosovës mund të marrin përgjegjësi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës.
Shtuar më 04/02/2010, ora 18:05
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori