Pas 25 viteve, Britania nuk merr asnjë litër karburant nga Rusia

Teksa lufta në Ukrainë po vijon që prej 24 shkurtit të këtij viti, për herë të parë Mbretëria e Bashkuar nuk do të marrë asnjë litër karburant nga Rusia.

Edhe importi i mallrave ruse ra gjithashtu në 33 milionë paund në të njëjtin muaj, niveli më i ulët që nga nisja e regjistrimit të të ardhurave në vitin 1997.

Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Rusisë që kur ajo pushtoi Ukrainën në muajin shkurt.

Vetë Britania e Madhe është zotuar se do të pezullojë importet e naftës ruse dhe derivateve të saj brenda fundit të vitit, si dhe ato të gazit sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave, importi i karburanteve ra me gjysmë miliard stërlina, ose 100 për qind krahasuar me mesataren e 12 muajve paraardhës të muajit shkurt.

Vitin e kaluar, Mbretëria importoi nga Rusia 4 për qind të gazit dhe 11 për qind të naftës, ka saktësuar Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.

Edhe eksportet e mallrave të tjera ruse ranë ndjeshëm në qershor, me pajisjet e makinerive dhe transporteve të tkurrura me mbi 91 për qind, duke rënë në 118 milionë stërlina.

Të vetmet produkte që kanë regjistruar një rritje të lehtë janë ato kimike, të nxitura nga rritja e eksporteve të produkteve mjekësore dhe farmaceutike, që bëjnë përjashtim nga sanksionet.