Policia: 5 punonjësit e Bashkisë nuk kishin leje
Pëlqej
Policia e kryeqytetit, sqaron se ndalimi i 5 punonjësve të Bashkisë është bërë për të verifikuar lejen që ata pretendonin se kishin.

Sipas policisë ata jo vetëm që nuk kishin lejen e posaçme por kanë shkatërruar trotuarin e rrugës si dhe kanë prerë pa leje drurët dekorues.

“Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, sqaron opinionin publik, se ka nisur verifikimet dhe hetimet mbi pesë punonjësit e Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë filluar punimet në ndërtimin dhe zhvendosjen e një semafori në rrugën “Asim Vokshi” në Tiranë duke prerë pemët, dëmtuar trotuarin dhe ndërhyrje të tjera në këtë rrugë. Policia e Tiranës ka bllokuar punimet dhe shoqëruar pesë punonjësit e Bashkisë Tiranë për të vijuar me verifikimin e dokumentacionit dhe lejes përkatëse për kryerjen e këtyre punimeve. Nga verifikimet paraprake është vënë në dispozicion shkresa me nr.Prot 8593 datë 11.06.2014, e cila është një urdhër pune i brendshëm i miratuar nga Drejtori i Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve në Bashkinë e Tiranës. Me qëllim sqarimin e mëtejshëm të rrethanave dhe dokumentacionit për kryerjen e këtyre punimeve, me shkresë urgjente me Nr.Prot 5177, i është kërkuar Bashkisë së Tiranes informacion mbi punimet e infrastrukturës në rrugën “Asim Vokshi” Tiranë, ku aktualisht ende nuk disponojmë një leje për zhvillimin e ndryshimeve të infrastrukturës në këtë segment rrugor”, thuhet në reagimin e policisë.

Policia sqaron se, “Për të realizuar këto punime, duhet paraprakisht një leje zhvillimi e infrastrukturës, mbi projektin e transportit multimodal, leje e cila miratohet nga Këshilli i Rregullimit të Territorit dhe Kryetari i Bashkisë”.

Më tej policia shton se, “Sqarojmë se, punimet kanë vijuar edhe pa vendosjen në dijeni të INUK, ku në një distancë rreth 35 metra në trotuar, janë hequr pemët, pllakat e trotuarit, bordurat e betonit, duke mos zbatuar rregullat e sigurimit teknik gjatë punimeve. Aktualisht nga Komisariati i Policisë Nr.3 Tiranë, po kryhen verifikimet duke referuar materialin hetimor, për 5 – punonjësit e Bashkisë për veprën penale të “Shkatërrim i rrugëve” dhe “Prerja e drurëve dekorative dhe frutorë”, parashikuar nga nenet 155 dhe 206 të Kodit Penal, ndërkohë materiali do të referohet edhe për shtetasit Fatmir Nezaj dhe Bujar Elezi, respektivisht me me detyrë Drejtor të Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal”.
Shtuar më 13/08/2014, ora 21:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori