Polici abuzoi me vajzën e përdhunuar në jetimore, Lleshaj tregon nëse do të kthehet dënimi me vdekje
"Dënimi është një cështje e stërdiskutuar, dënimi me vdekje në Shqipëri është i vdekur, i pa kthyeshëm..."

Nga Shkodra, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dhënë komentin e tij në lidhje me arrestimin e shefit të komisariatit të Fushë-Arrëzit, me akuzën e "përdhunimit", duke e cilësuar sjelljen e zyrtarit të policisë si gjest të ulët dhe kriminal.

Ai tha për mediat se kanë reaguar, sapo janë sinjalizuar për rastin në fjalë. Duke iu rikthyer debatit për dënimin me vdekje, Lleshaj u shpreh se është një vendim i pakthyeshëm. E ndërsa mekanizmi i duhur mbetet parandalimi.

“Ka rënë pre e dhunës seksuale nga edukatorët e saj në Shkodër, por më vonë me një sjellje të ulët, pa dinjitet, kriminale dhe të papranueshme të një punonjësi policie që do të duhet të mbrohet para ligjit.

Ndoshta ka ardhur koha për të rishikuar qasjen tonë në thelb, në drejtim të mbrojtjes së viktimave të dhunës seksuale, duke shtuar penalitetet dhe çuar në ekstrem penalitetet për kujdestarët. Pasi në shpesh raste, dëmet dhe gjëma na ka ardhur prej rojeve, kujdestarëve, atyre që zëvendësojnë prindërit.

Dhe kjo është për të ardhur keq. Nuk është thjeshtë çështje e ligjit, masave penale, por sensibilizimit shoqëror për t’u distancuar, që kjo kategori që nuk e meritojnë edhe emrin e njeriut, që të kufizohet, izolohet dhe të bëhet e padëmshme.

Për rastin që flasim, nuk besoj që kemi nga 2015-2018 ndonjë dinamikë tjetër, nuk i dimë detajet, kemi reaguar pas sinjalit të parë. Do të duhet të kërkojmë detajet dhe të marrim masat.

Ne duhet dhe do të marrim masat ndaj atyre që kanë detyrën e shenjtë të kujdesit, pasi rreziku vjen nga ata që janë caktuar për të bërë rojen, kujdestarin, prindin. Dënimi është një cështje e stërdiskutuar, dënimi me vdekje në Shqipëri është i vdekur, i pa kthyeshëm, nuk është ky mekanizmi.

Mekanizmi është parandalimi, dënimi i merituar, por vdekja nuk është zgjidhje. Shtetet në Europë kanë adoptuar formulën, që shteti nuk kthehet në krye kriminelin më të madh për të vrarë.

Ne po punojmë për të zhvilluar një instrument të ri, për të trajtuar këtë fenomen të dhunës në familje, dhe këtë për të gjetur rrugë të reja për të ndërtuar struktura që do të bëjnë bashkë energjitë e shumë aktorëve, policisë, shëndetësisë, shoqërisë civile dhe besoj se shpejt do të kemi zhvillime të reja për instrumentet e reja.

Por e rëndësishme është liria për të denoncuar. Bëj thirrje edhe medias, mos e cënojmë këtë lirinë e denoncimit, pasi njerëzit i druhen edhe për shkak të mediatizimit të gjerë. Hezistojnë, i druhen mediatizimit.

I kam ndjekur lajmet e pafundme ditët e fundit, për një rast prostitucioni, ku pasqyrohen të gjitha dialoget në media me një precizion pervers.

Është shumë e rëndësishme, media të ruajë nga publiciteti rastet dhe detajet, se kështu i frenojmë viktimat për të denoncuar. Ne duhet ti inkurajojmë që të bëhet denoncimi. Pa denoncim nuk ka reagim”, tha ai.


Shtuar më 06/06/2020, ora 11:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori