Policet serb pranojne eproret e Kosoves
Albeu.com
Policët serb në veri kanë filluar të respektojnë Ligjin për Policinë dhe t’i raportojnë epërorëve të tyre sipas zinxhirit komandues. Kështu ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti.“Të gjithë policët në Kosovë janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, rrjedhimisht të gjitha ata e respektojnë ligjin për policinë. Kemi pasur vështirësi më tepër se një vit me disa pjesëtarë që kanë abstenuar. Fatmirësisht ju e dini se pjesa kryesore e tyre janë kthyer në vendet e tyre të punës dhe ata i raportojnë eprorëve të tyre sipas zinxhirit komandues”, thotë Zenun Pajaziti, ministri i Brendshëm kosovar.
Ministri Pajazit tha se institucionet e Kosovës kanë edhe mbështetjen e EULEX-it për të pasur një zinxhir komandues në Policinë e Kosovës, ashtu siç e parasheh edhe ligji.
“Policia e EULEX-it po na ndihmon shumë në këtë proces, pra ata janë mbështetës në respektimin e zinxhirit komandues. Kemi takime të rregullta të menaxhmentit të policisë me të gjitha regjionet dhe stacionet policore, duke përfshirë edhe ato në veri të vendit. Ky proces tani për tani shumë pozitiv, nuk kemi asnjë vështirësi në funksionimin e policisë me zinxhirin komandues ashtu siç e sheh ligji”, thekson ministri Zenun Pajaziti.
Mbi 300 pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb patën braktisur për një vit vendet e tyre të punës, pas shpalljes së pavarësisë, duke refuzuar që të raportojnë para epërorëve të tyre shqiptar. Ata kanë marrë paga deri në qershor, kur qeveria u bëri thirrjen e fundit që të kthehen në punë, në të kundërtën paralajmëroi largimine tyre nga puna. Pas kësaj thirrje shumica e policëve serbë janë kthyer në vendet e mëparshme të punës.
Shtuar më 03/08/2009, ora 04:45
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori