Policet serb mund te kthehen deri me 30 qershor
Albeu.com
Pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës do t’i humbin vendet e tyre të punës nëse nuk do t’u kthehen uniformës dhe detyrave të tyre deri më 30 qershor. Këtë vendim e ka marrë qeveria e Kosovës pasi e ka parë se pritja që ata të ...... kthehen vullnetarisht në punët e tyre nuk po jep rezultate. Në një intervistë për ALSAT, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti flet për shumë të interesuar nga komuniteti serb që të bëhen pjesë e forcës kosovare të rendit. Megjithatë, ai thotë se qeveria e Kosovës do të dëshironte që që të suspenduarit t’i kthejë në detyrat e tyre, pa pasur nevojë për të shpallur konkurs të ri.
“Kemi një numër të konsiderueshëm të qytetarëve serbë që dëshirojnë të punësohen në Policinë e Kosovës, por unë nuk jam i fokusuar në idenë për një proces të ri rekrutimi. Jam shumë i interesuar që ata të kthehen dhe besoj që një numër i madh i tyre do të kthehen në vendet e tyre të punës”, thotë ministri i punëve të brendshme të Kosovës, Zenun Pajaziti.
Ministri Pajaziti shprehet i vendosur që zinxhiri unik komandues i Policisë së Kosovës të mos vihet në pyetje në asnjë rast.
“Kjo në Policinë e Kosovës nuk do të ndodh, nuk guxon të ndodh. Kemi të bëjmë me sfida shumë të mëdha të luftimit të krimit, korrupsionit, trafikimit. Vetëm me një polici unike, me një zinxhir komandues të disiplinuar mund t’ju bëjmë ballë sfidave që janë sfida të gjithë shoqërisë pa dallim- të shqiptarëve, serbëve dhe pakicave tjera”, shton ministri Pajaziti.
Qeveria e Kosovës, me ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, kishte anashkaluar masat radikale ndaj policëve të larguar me vullnetin e tyre për shkak se nuk pranuan urdhrat e eprorëve shqiptarë. Kjo ka bërë që për 14 muaj, policët serbë të marrin paga duke mos punuar për shkak se ata janë të suspenduar me pagesë, ndonëse është folur se ata kanë lënë punën pasi u janë premtuar paga edhe nga qeveria e Serbisë.
“Disa herë na janë sjellë informata të tilla se një numër i tyre marrin paga. Kemi informata se ka dallime mes pagave, se u janë premtuar paga e nuk i kanë marrë, kemi informata se një pjesë e tyre janë shantazhuar që të mos mund të kthehen në Policinë e Kosovës”, thotë Pajaziti.
Afatizimi i kthimit të pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës është mbështetur edhe nga misioni i BE-së për sundim të ligjit, EULEX. Ministri Zenun Pajaziti thotë se ky mision do të luajë rol të rëndësishëm në koordinimin e punëve gjatë këtij procesi, sidomos në veri të Kosovës. (alsat)
Shtuar më 19/04/2009, ora 17:49
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori