Pogradec, dërgohet për gjykim ish-drejtori i bankës që vodhi 600 mijë euro
Prokuroria e Pogradecit përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim shtetasin Spartak Tupe, ish-drejtor i filialit të një banke të nivelit të dytë, i akuzuar për "vjedhje të bankave dhe arkave të kursimit" me pasoja të rënda, pasi nga hetimi ka rezultuar se, nëpërmjet veprimeve antiligjore ka përvetësuar rreth 600 mijë euro nga llogaritë e mbi 20 klientëve.

I pandehuri është hetuar nën masën e sigurisë "arrest në burg" prej muajit Tetor 2014 dhe hetimi ka nisur në bazë të materialit kallëzues të bankës, në të cilën ushtronte funksionet ky shtetas.

Në raportin e detajuar të Prokurorisë jepet mënyra e veprimit të vjedhjes nga ish-drejtori Tupe ndaj një klienti, dhe me të njëjtën skemë rezulton e provuar se ai ka vepruar edhe me llogaritë bankare të rreth 20 personave të tjerë.

Ndërkohë, po shqyrtohen edhe të tjera veprime, për të cilat po vijohet me grumbullimin e provave. Nga analiza e provave të grumbulluara edhe për këto episode, bën me dije Prokuroria, provohet se nga ana e ish-drejtorit të kësaj banke, shtetasi Spartak Tupe, janë kryer veprime të kundërligjshme, sikurse parashtrohet edhe në kallëzimin e bankës. /albeu.com/
Shtuar më 26/04/2015, ora 12:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori