Atentati në tentativë, “Oti” i Elbasanit po udhëtonte nga Tirana në makinë me fëmijët, si tentuan autorët t’i shpëtonin policisë

Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja e rëndë e parandaluar mbrëmjen e djeshme në Elbasan.

Dy persona, Arben Spahiu dhe Arsen Preçi, dyshohet se po planifikonin të finalizonin një atentat ndaj Elton Kilës i njohur ndryshe si “Oti” i Elbasanit.

Autorët e dyshuar kishin planifikuar ta qëllonin atë brenda në makinë.

Në momentin kur ishte parashikuar të kryhej atentati, Kila ka qenë duke udhëtuar nga Tirana drejt Elbasanit ndërkohë që në automjet ndodhej bashkë me fëmijët, sipas Panorama Tv.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se faktet janë mbledhur nga këqyrja e pamjeve filmike nga qelizat telefonike.

Në momentin kur kanë konstatuar prezencë të forcave të policisë në zonë, dy autorët janë larguar duke lënë automjetin pranë stadiumit “Elbasan Arena”.

Njëri nga dy të arrestuarit, Arsen Preçi ka hedhur në koshin e mbeturinave çantën e supit brenda të cilës janë gjetur pistoleta dhe dy mjete identifikuese që kanë çuar policinë drejt zbulimit të autorëve.

Po ashtu në çantë janë gjetur edhe maska dhe doreza që do të përdoreshin prej tyre për të humbur gjurmë pas krimit./Albeu.com/