Lufta e litiumit: Kush do ta kontrollojë “naftën e së ardhmes”?

Nga Federiko Rampini “Corriere della Sera

Pëfktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një garë globale është duke u zhvilluar aktualisht për të kontrolluar litiumin, metalin jetik për shumë teknologji, duke filluar nga bateritë (ato që përdorim në makinat elektrike dhe turbinat me erë). Dhe në këtë garë, tendenca që po shfaqet për momentin është kjo:Amerika bën marrëveshje me Australinë, e cila nga ana tjetër përpiqet të shkëputet nga marrëdhënia e saj e ngushtë me Kinën.

Ndërkohë Pekini synon të forcojë ndikimin e tij në Afrikë dhe Amerikën Latine. Ndoshta unë nuk kam të gjithë informacionin e duhur. Por më duket se edhe në këtë sektor, Evropa ka mbetur prapa, dhe nuk e ka kuptuar rëndësinë e asaj që është në lojë.

Kina nuk ka rezerva të mëdha litiumi, por e përpunon atë në shtëpi

Që litiumi është “nafta e të ardhmes”, këtë e kanë kuptuar që të gjithë. Po ashtu, edhe që prodhimi i saj dominohet nga Kina. Megjithatë, nganjëherë perceptimi i përgjithshëm ndalet këtu. Dhe me shumë gjasë pozita dominuese e Kinës, ngjan si një fakt “natyror”, si rezervat e mëdha me naftë që ka nën tokë Arabia Saudite.

Por nuk është aspak kështu. Nëntoka kineze ka shumë pak litium, rreth 8 për qind e rezervave botërore. Por Republika Popullore – me një largpamësi që mungon në anët tona – ka fituar të drejtat e nxjerrjes së tij në territoret e vendeve të tjera ose nëpërmjet kontratave afatgjata të furnizimit nga minierat e ndodhura deri në anën tjetër të botës.

Për më tepër, vetë Kina ka marrë përsipër të përpunojë mineralin që përmban litium. Një punë shumë fitimprurëse, por edhe shumë ndotëse. Prandaj në emër të ambientalizmit, perëndimorët kanë vendosur që ky proces të bëhet sa më larg vendeve të tyre.

Rëndësia e Australisë

Në kontekstin e ri gjeopolitik, varësia nga Kina për të gjitha teknologjitë tona të gjelbra është një çmenduri e vërtetë. Prandaj Australia dhe Shtetet e Bashkuara, po punojnë së bashku për të rimarrë kontrollin e “zinxhirit të litiumit”. Asnjë vend tjetër në botë nuk luan një rol vendimtar si Australia.

Aktualisht 53 për qind e litiumit në botë nxirret nga minierat e saj. Por thuajse e gjithë sasia i shitet Kinës. Siç theksohet në një investigim të Neë York Times, nxjerrësja kryesore e litiumit, kompania Pilbara Minerals, merr nga minierat e saj në Australinë Perëndimore tokën metalifere nga e cila nxirret spodumeni, një mineral që përmban alumin dhe litium.

Përmbajtja e litiumit është 6 për qind e mineralit të papërpunuar. Spodumeni shitet aktualisht 5.700 dollarë për ton. Por rafinimi përfundimtar, ai nga i cili merret litiumi që do të përdoret në bateri, kryhet në uzinat kineze, pasi lënda e parë, pra spodumeni, transportohet me rrugë detare për në Republikën Popullore.

Industria australiane, subvencionet amerikane

Tani Australia dëshiron që të presë “kordonin e kërthizës” me Kinën, dhe njëkohësisht të zhvendosë edhe fazën e rafinimit në territorin e saj. Pilbara Minerals, po bashkëpunon me kompaninë tjetër australiane, Calix, për ndërtimin e një fabrike të rafinimit. Kjo do ta lejojë të marrë subvencione federale nga SHBA.

E lidhur me Amerikën përmes një traktati të tregtisë së lirë, Australia mund të aplikojë që kompanitë e saj të marrin ndihmë shtetërore në bazë të Aktit të Reduktimit të Inflacionit. Ky ligj i Administratës Biden, pavarësisht nga emri i tij, është mbi të gjitha një mjet i politikës industriale, përmes të cilit Uashingtoni dëshiron të rifitojë një kontroll strategjik mbi zinxhirët e qëndrueshmërisë, siç është industria e baterive elektrike.

Sipas qeverisë së Kanberrës, Australia mund të fitojë deri në vitin 2027 një pjesë nga 20 për qind e të gjithë prodhimit botëror të litiumit të rafinuar. Biden dhe kryeministri australian Anthony Albanese e diskutuan këtë çështje në samitin e fundit të G7-ës në Japoni.

Për amerikanët, zhvendosja e rafinimit të litiumit në atë vend (heqja e tij nga monopoli kinez) është një garanci sigurie për të ardhmen, duke pasur parasysh edhe aleancën e ngushtë ushtarake. Natyrisht, litiumi i rafinuar në Australi do të kushtojë më shumë, sepse pagat australiane nuk janë ato të Kinës, dhe rregulloret mjedisore janë shumë më të rrepta.  Gjithsesi, kostoja shtesë do të përballohet pjesërisht nga taksapaguesi amerikan, në formën e subvencioneve.

Xi Jinping është armiqësuar me Kanberrën

Në një farë kuptimi, Kina e kërkoi vetë këtë ndarje. Marrëdhëniet e saj me Australinë ishin të shkëlqyera deri para pandemisë së Covid-19. Në vitin 2020, pas shpërthimit të pandemisë, kryeministri i atëhershëm australian, Scott Morrison, pati guximin të kërkonte një hetim ndërkombëtar mbi origjinën e virusit.

Pekini reagoi me një ashpërsi të madhe, gjë që e konfirmon paaftësinë e Xi Jinping për të kuptuar demokracitë. Ai vendosi sanksione ekonomike kundër verës australiane dhe lëndëve të saj të para. Si kundërpërgjigje, Australia anuloi pjesëmarrjen e saj në Nismën e Brezit dhe Rrugës.

Australia doli nga ajo krizë diplomatike, e bindur se duhej të rishikonte marrëdhëniet e saj me Pekinin. Një nga pasojat është rifillimi i kontrollit mbi litiumin në marrëveshje me Shtetet e Bashkuara. Një pasojë tjetër, ishte aderimi i Kanberrës në marrëveshjen AUKUS, pakti ushtarak që bashkon SHBA-në, Britaninë e Madhe dhe Australinë për përdorimin e nëndetëseve me energji bërthamore (me rreze të gjatë veprimi, mund të përdoren për mbrojtjen e Tajvanit).

Pekini mbështetet tek Afrika dhe Amerika Latine

Megjithatë, duke mbetur tek litiumi, Kina e ndjen rrezikun që gjysmë-monopoli i saj aktual, po i rrëshqet nga duart. Ndaj po reagon në përputhje me rrethanat. Gjatë 2 viteve të fundit, kompanitë kineze në këtë sektor kanë investuar 4.5 miliardë dollarë për të blerë minierat e litiumit në pjesën tjetër të botës.

Me mbylljen e hapësirës në Australi, oreksi i Kinës është tashmë i përqendruar në Afrikë dhe Amerikën Latine. Investimet më të rëndësishme kineze në minierat e litiumit u bënë në 3  vende afrikane (Mali, Nigeri, Zimbabve) dhe 2 vende të Amerikës Latine (Meksikë, Kili).

Dhe ato nuk janë zona krejtësisht të qeta.

Në Mali dhe Nigeri, investitorët kinezë përballen me probleme sigurie përballë kërcënimeve nga terrorizmi xhihadist. Ndërsa Meksikë dhe Kili, të panjohurat janë të natyrës politike:një erë nacionalizmi populist po fryn në të gjithë Amerikën Latine, ku shumë qeveri të krahut të majtë po flasin për shtetëzimin e litiumit pasi duan kontrollin e burimeve të tyre minerale.

Është një ripërsëritje e asaj që ndodhi në botën arabe me naftën në vitet 1960. Kili së bashku me Bolivinë dhe Argjentinën, po diskutojnë krijimin e “OPEC” të litiumit, një kartel oligopol sipas modelit të atij të naftës. Kina duhet të mësojë sesi të manovrojë midis këtyre tendencave politike lokale, ashtu si perëndimorët që u detyruan të përshtateshin me diktatet e OPEC-ut duke filluar që nga viti 1973.

Shembulli i Zimbabves

Një rast interesant në Afrikë është ai i Zimbabves. Në dhjetorin e vitit 2022, qeveria atje vendosi ndalimin e eksportit të litiumit të papërpunuar. Zimbabve nuk dëshiron më të jetë një eksportuese e thjeshtë e mallrave. Ajo kërkon që klientët e huaj të vijnë dhe të ngrenë fabrika në vend për përpunimin e mineraleve të saj.

Kjo është një strategji legjitime dhe logjike, e cila synon të lokalizojë aktivitetet me vlerën më të madhe të shtuar pranë minierave, duke i mbajtur brenda vendit fitimet nga rafinimi dhe duke krijuar vende pune të tjera përtej punës së thjeshtë të minatorëve. Zimbabve mund të udhëheqë shembullin, duke imponuar një model më pak të pa balancuar të marrëdhënieve ekonomike me Kinën, një pararojë kjo e industrializimit afrikan. /albeu.com


Shtuar 29.05.2023 11:45

Tags: