Çfarë po ndodh me Policinë Rrugore? Njeri kapet me prostituta dy të tjerë me mashtrim
Ditën e sotme policia ka arrestuar dy oficerë të policisë rrugore, pasi kanë falsifikuar ekspertimin e një aksidenti rrugor, ku një person fatkeqësisht humbi këmbën.

Të arrestuarit janë: N/Komisar Ramazan Veseli, me detyrë specialist shërbimi, përgjegjës seksioni i parandalimit dhe sigurisë në linja jashtë qytetit, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë dhe N/Komisar Viktor Dulaj, me detyrë oficer i policisë gjyqësore, seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore, në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Ngjarja për të cilën akuzohet ata ndodhi në 21 nëntor 2016, në rrugën “Prokop Mima”, në Tiranë, ku gjatë një aksidenti rrugor mbeti i aksidentuar rëndë shtetasi L.L.

Veprimet e para hetimore në lidhje me këtë aksident janë kryer nga dy të ndaluarit Viktor Dulaj dhe Ramazan Veseli.

Por nga hetimet e Prokurorisë rezultoi se veprimet e kryera nga këta oficerë nuk ishin në përputhje me rrethanat faktike dhe për rrjedhojë kanë sjellë favorizimin e autorit të aksidentit.

Në këto kushte nga ana e Prokurorit të çështjes u nxorën urdhrat e ndalimit, të cilat u ekzekutuan menjëherë nga ana e SHÇBA-së, për veprat penale “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ekspertim i rremë” të parashikuar nga nenet 301, 186/3 dhe 309 të K.Penal./Albeu.com/

Shtuar më 07/02/2017, ora 20:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori