Të shtënat me armë zjarri në Mirditë, policia zbardh ngjarjen, dy të arrestuar

Policia ka zbardhur ngjarjen e djeshme në Mirditë, ku pati  të shtëna me armë zjarri. Mësohet se pas një konflikti për motive të dobëta, Glodin Gjoka ka qëlluar me armë zjarri në ajër, duke kanosur Pashk Prengën. Ky i fundit, si përgjigje, ka shkuar dhe ka kaosur po me armë familjarët e Gjokës.

Policia i ka arrestuar të dy, ndërkohë po punohet për gjetjen dhe sekuestrimin e armëve.

Njoftimi i policisë:

Mirditë/Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Fan, Mirditë.

Vihen në pranga të 2 shtetasit e përfshirë në konflikt.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, pas marrjes së njoftimit për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Mirditë, ku shtetasi G. Gj. dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin P. P. ka qëlluar me armë zjarri, kanë vijuar veprimet hetimore intensive, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve hetimore janë arrestuar në flagrancë shtetasit G. Gj., 28 vjeç, banues në Mirditë dhe P. P., 39 vjeç, banues në Mirditë, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.

Arrestimi i tyre është bërë pasi gjatë konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur ditën e djeshme, shtetasi G. Gj. dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri për të kanosur shtetasin P. P. Më pas, shtetasi P. P. dyshohet se ka shkuar në banesën e shtetasit G. Gj. dhe ka kanosur familjarët e tij, me armë zjarri.

Vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e armëve të zjarrit që posedonin 2 të arrestuarit.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme./albeu.com