Deputeti i LVV-së kërkon të shtyhet afati për targat

Në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës, Abazi, që është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, tha më 28 tetor se një shtyrje e afatit do të ishte në “favor të interesit kombëtar” të Kosovës.

“Më shumë sesa targat e serbëve na duhet lëvizja e lirë dhe rikthimi i lëvizjes së qytetarëve tanë drejt Sarajevës. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme sepse për më shumë se dy dekada qytetarëve tanë iu është ndaluar të udhëtojnë drejt Bosnjës dhe Hercegovinës. Rrjedhimisht, propozoj që data për targa të bëhet 31 dhjetori. Në këtë formë ia pamundësojmë kujtdo që ta sabotojë procesin e Berlinit dhe mundësinë që të ngrenë tensione në veriun e rëndësishme të Kosovës”, tha Abazi.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ka thënë se nga 1 shtatori deri më 31 tetor, qytetarët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, mund t’i konvertojnë në targa RKS – Republika e Kosovës.

Më 27 tetor, zyrtarët e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – dhe Serbia, paralajmëruar vendosjen e bllokadave në veri, nëse Kosova pas 31 tetorit konfiskon targat dhe makinat e tyre.

Pas 31 tetorit, Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se nuk do të lejojë qarkullimin e këtyre makinave brenda territorit të shtetit dhe as ta kalojnë kufirin.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj procesin e riregjistrimit, por Qeveria e Kosovës, sipas SHBA-së, ende nuk i është përgjigjur kësaj kërkese.

Më 25 tetor, kryeministri Kurti deklaroi se Kosova merr seriozisht sugjerimet e aleatëve ndërkombëtarë lidhur me shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja dhe siguria. Andaj edhe kur partnerët, aleatët, miqtë tanë ndërkombëtar na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka deklaruar Kurti.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati është shtyrë një herë, pasi vendimi për riregjistrim ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht. Por, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri, për të kundërshtuar këtë vendim si dhe vendimin për lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje dhe ekzekutivi shtyu për një muaj zbatimin e vendimeve. Pak më vonë, çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, Kosova dhe Serbia e kanë zgjidhur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian./rel


Shtuar 28.10.2022 12:50