Po festonte fejesën e djalit, por grabitësit i bëjnë gjëmën në shtëpi
Ai ishte duke festuar fejesën e djalit ndërkohë që nuk e dinte se çfarë ishte duke ndodhur në banesën e tij.

Nizami Bezati nga Korça denoncoi dje në Policinë e Korçës se dy persona i kishin hyrë në shtëpi ndërkohë që ai po festonte fejesën e djalit duke i vjedhur 1 milionë lekë, ndërkohë që kishin lidhur dy personat që ndodhin në banesë.

"Kisha fejesën e djalit dje dhe të gjithë ishim në festë. Kishim lënë dy shokë të djemve në banesë për ta ruajtur. Por dy persona kanë hyrë në shtëpi e kanë lidhur djemtë. Njëri ka qenë me kallash dhe tjetri me levë"., - shpjegon Nizamini, raporton BW.

Dyshohet se grabitësit arritën të merrnin në banesë 10 milionë lekë të vjetra, por për Bezatin më e rëndë për te është çnderimi i shtëpisë.

"Kanë marrë lekët në kasafortë dhe janë larguar. Nuk më interesojnë lekët, por dhuna ndaj familjes sime. Bëj apel të kapen sa më parë dy grabitësit"., - vijon shpjegimin kryefamiljari.


Njoftimi i policisë

Policia e Korcës njofton se është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasi N.B, 53 vjeç, banues në fshatin Kamenicë.

Ky shtetas deklaron se rreth orës 01:45 në banesën e tij private në fshatin Kamenicë, kanë hyrë dy persona të maskuar të cilët dyshohet të kenë pasur edhe armë.

Këta të fundit, pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj dy personave që ndodheshin në banesë, kanë vjedhur kasafortën brenda së cilës kishte një sasi lekësh, disa dokumenta dhe më pas janë larguar.

Nga ana e Policisë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale : “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 139 e 25 të Kodit Penal. /Albeu.com/
Shtuar më 27/03/2017, ora 14:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori