Partia Republikane takim me banorët e Kamzës: Kjo është ora e shqiptarëve

Partia Republikane zhvilloj takimin elektoral në Kamzë.

“Vota për Partinë Republikane, votat për NR 4 duhet të jenë dhe vota për kandidatin e opozitës Arjan Hoxha”, kjo ishte thirrja e këshilltarëve Republikanë të cilët janë në garë me njëri-tjetrin.

Kandidati i opozitës Arjan Hoxha, teksa deklaroi se në Kamzë është e padiskutueshme fitorja theksoi se më shumë se në Kamzë askush tjetër nuk po e vuan këtë regjimin Rama.

“Askush tjetër nuk po e vuan këtë diskriminim, këtë trajtim të pabarabartë, si në shpërndarjen e parave të tërmetit, të përmbytjeve, në legalizime, në urbanizim, në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi,në cdo fushë të aktivitetit jetësor në këtë qytet”, tha ai.

Në fjalën e e tij Mediu vlerësoi banorët e Kamzës që kanë mbështetur të djathtën.

“Është gjithmonë kënaqësi e vecantë të jem në Kamëz, e cila në një lloj mënyre është ajo Shqipëria e vogël, e cila lidh së bashku, madhështinë e Bjeshkëve të Tropojës, trimërinë e Kukësit, mëncurinë e Dibranëve dhe të gjitha trevave shqiptare, bujarinë shqiptare, respektin dhe vlerat njerëzore, të cilat ju i mëshironi më së miri.

Kjo është ora juaj, është ora e shqiptarëve, të cilët nuk pranojnë poshtërimin dhe përbuzjen, është ora jonë për t`u ngritur dhe për të luftuar të gjithë së bashku, për atë që kemi më të shenjtë, fëmijët tanë, prindërit tanë, familjen tonë, Shqipërinë.

Është momenti që të tregojmë që ne nuk mundet të shikohemi si njerëz të dorës së dytë. Prandaj kam bindjen që Arjani në krye të Bashkisë, nuk do të jetë sic e quajmë ne “qytetari i parë”, por do të jetë shërbëtori i parë i Kamzës, për t`i shërbyer nevojave dhe interesave tuaja.
Të dashur miq! Ne nuk jemi pronarë të pushtetit, ne nuk jemi pronarë të jetës suaj, ne nuk jemi pronarë të taksave tuaja. Ju na keni zgjedhur për t`ju përfaqësuar ju, për t`i përdorur këto taksa ne shërbim të zhvillimit tonë ekonomik, në shërbim të familjeve tuaja, dhe një njeri i cili sillet me taksat tuaja, me pushtetin dhe me ligjin sikur të jetë pronar, duhet të largohet sa më parë, përndryshe do të jetë një kalvar i rëndë, në kurrizin tonë, në pamundësinë tonë për të ndërtuar jetën dhe lumturinë në Shqipëri. Prandaj ka ardhur koha që ju duhet të jeni në ballë të qëndresës sonë, në krah të Arjanit, në krah të Partisë Republikane, për të fituar në datën 14. Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja! Fitore dhe suksese”, tha Mediu.


Shtuar 9.05.2023 10:04