Po boshatiset Karadaku
Albeu.com
Për çdo ditë rreth 200 të rinj shqiptarë, kryesisht nga Kumanova, Presheva dhe Shkupi marrin rrugën drejt perëndimit. Belgjika është destinacioni kryesor ku shkojnë ata për të gjetur punë.
Pas liberalizimit të vizave, të rinjtë shqiptar që nuk kanë asnjë perspektivë në Maqedoni, nisën udhën e kurbetit, ashtu siç bënë baballarët e tyre para 50 vjetëve. Kërkojnë një punë dhe një jetë më të mirë. Analisti Imer Ismaili thotë se dëshpërimi i të rinjve ka bërë që ata të marrin rrugën vetëm e vetëm që të mos qëndrojnë këtu ku nuk kanë asnjë perspektivë “Ky vrull i njerëzve që vërtetë po shkojnë atje, është për ta analizuar edhe në një dimension tjetër. Aspekti social. D.m.th. nuk është se të rinjtë tanë duan të shkojnë atje. Unë të paktën dua kështu të besoj se po ti marrësh edhe statistikat e njerëzve që studiojnë në Maqedoni, është shumë i lartë. Ata kanë vullnet për të investuar vetveten e tyre për të mbetur këtu. Por, ky shtet, si shtet po flas jo si tokë, është i nëmur, ky shtet është tepër makabër për shqiptarët, dhe thjesht njerëzit mbeten këtu vetëm se nuk kanë ku të shkojnë”, thotë Ismaili. Sipas tij, ky fluks i të rinjve drejt perëndimit po merr konotacionin e shpërnguljeve, pasi siç thotë ai, njeriu që shkon dhe jeton me familjen Zvicër, Austri, etj, nuk është më emigrant, por i shpërngulur. “Ai nuk është më kurbetçi ose mërgimtar. Ai është njeri i shpërngulur. Këtu ka një dallim shumë të madh dhe kjo lojë fjalësh ndonjëherë na krijon edhe neve konfuzion. Kjo që po ndodh tani, në fakt tek ne nuk është problem i migrimit por problem i shpërnguljes, shpërnguljeve në heshtje. Dikur ka pasur strategji shtetërore, antishqiptare, në vitet 48-55 shpërngulja e shqiptarëve në Turqi. Tani kjo ndodh me liberalizim të vizave. Ata nuk shkojnë në kurbet, por shpërngulen në familje. Ky problem për mua më shumë është shpërngulje, nëse ata njerëz gjejnë mënyrë për të punuar atje, sesa që është problemi i migrimit”, sqaron ai. Ismaili sqaron se mekanizëm i lirisë për të kontaktuar me Evropën, duke pasur parasysh rrethanat objektive, mund të na kthejë diçka shumë të keqe nga prizmi i pozicionit ta quaj kombëtar në Ballkan të shqiptarëve. Megjithatë, Ismaili, beson se ata të rinj do të kthehen pasi edhe mekanizmat mbrojtëse të Evropës janë tepër të lart. “Mekanizmi mbrojtës për vendet e BE-së, që të rinjtë mos të mbeten atje, mos të punojnë atje, janë aq rigoroze, saqë tani është një fluks i madh, i njerëzve që kërkojnë një jetë më të mirë. Unë jam optimist sepse shumica e tyre do të kthehen në vendlindje dhe do të gjejnë ardhmërinë e tyre duke investuar, duke menduar për në vendlindje, për një arsye sepse atje edhe kushtet e punës çdo ditë e më të vogla janë”, thotë ai, duke shtuar se Zvicra, Gjermani, Austria, Belgjika, Holanda, s’janë më parajsa e kurbetçinjve tanë siç kanë qenë para 20 viteve. (lajm)
Shtuar më 15/02/2010, ora 17:29
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori