Plotësimi i kërkesave, grevistët i kërkojnë Fyles të ndërhyjë te qeveria
Të shkarkuarit nga administrata të cilët janë futur në grevë pranë Kryeministrisë, përmes një letre i kërkojnë komisionerit për Zgjerimin Stefan Fyle të ndërhyjë te qeveria për të zgjidhur kërkesat e tyre.

“Duke pasur parasysh mungesën e komunikimit nga Qeveria e Shqipërisë, unë kërkoj me mirësi një takim të tre prej përfaqësuesve tanë me ju personalisht gjatë vizitës suaj në Tiranë, 4 qershor 2014. S’ka dyshim se ne nuk mund të presim që ju do të përmbushni kërkesat tona legjitime, por ju patjetër mund të jeni një avokat i mirë dhe ndërmjetës mes grevistëve dhe qeverisë që pretendon të mos na shohë, edhe pse ne jemi vetëm 10 metra larg ambienteve të Kryeministrisë. Situata jonë është shumë kritike dhe ne kërkojmë vëmendjen tuaj”, shkruan kreytarja e kesaj shoqate Nertila Qafzezi.

Më tej ajo vijon se greva e urisë erdhi pas një sërë protestash që janë zhvilluar para godinës së Parlamentit, kur zhvilloheshin seancat plenare.

“Shoqata jonë është themeluar në fillim të këtij viti, për të mbrojtur çështjen e shkarkimit të paligjshme nga administrata publike. Që nga themelimi i saj ka rreth 4000 anëtarë që na janë bashkuar. Kjo grevë urie nuk vjen si e papritur, pasi janë shteruar të gjitha mjetet e tjera demokratike për të mbrojtur të drejtat tona. Ne kemi protestuar për muaj çdo të enjte para seancave plenare të Kuvendit, i kemi kërkuar zyrtarisht ministrit të Inovacionit dhe Administratës Publike që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të rikthejë në punë personat e larguar, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet më tej në letër.

Një ditë më parë ajo i kërkoi Ramës të reagonte lidhur më cështjen e tyre dhe ti jepte një zgjidhje. /albeu.com/

Shtuar më 04/06/2014, ora 09:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori