Partia “Lëvizja e
Legalitetit”, në zgjedhjet e 23 qershorit do të marrë pjesë në koalicionin e djathtë. Ky vendim u mor të djelën në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PLL. Këshilli Kombëtar i PLL vuri në dukje se modeli dhe projekti i maxhorancës së djathtë është më i miri. Përkundrejt këtij modeli, në politikën aktuale
shqiptare nuk ka ndonjë model tjetër që të jetë kaq real, i provuar dhe i besueshëm.
Partia “Lëvizja e
Legalitetit” e konsideron të suksesshëm qeverisjen aktuale dhe veçon si pika kulmore anëtarësimin në NATO, heqjen e regjimit të vizave, investimet në infrastrukturë, liberalizimin e ekonomisë dhe mbrojtjen e saj nga kriza. Zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit, bashkimin kombëtar dhe anëtarësimin ne Bashkimin Evropian, e djathta
shqiptare e ka mision dhe projekt në vazhdim. Ky është një projekt i qartë dhe serioz që mund të materializohet me sukses vetëm nga ato forca që përmbysën regjimin komunist dhe i hapën rrugë zhvillimeve demokratike dhe ekonomisë së tregut.
Ndër të tjera, në punimet e tij, Këshilli Kombëtar i partisë “Lëvizja e
Legalitetit” e vlerësoi si të kënaqshëm aktivitetin e deritanishëm të strukturave të PLL në përgatitje për zgjedhjet e 23 Qershorit. Këshilli Kombëtare evidentoi kontributet dhe punën e frytshme të legalistëve në pushtetin ekzekutiv dhe atë vendor dhe i cilësoi ato si një model që afishon më së miri gatishmërinë, kapacitetet dhe filozofinë qeverisëse dhe drejtuese të kësaj partie.
Lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, Këshilli Kombëtar i PLL shprehu shqetësim për qëndrimet radikale dhe rolin bllokues të opozitës
shqiptare. Ky qëndrim i opozitës lidhet me situatën e mjerueshme në të cilën ajo ndodhet dhe me krizën e saj të identitetit e të moralit. /albeu.com/
Shtuar më 21/04/2013,
ora 18:07