Plis për gardën e ARM-së
Albeu.com
Komisioni i Shtatmadhorisë së ARM-së do të përcaktojë pamjen e re të Gardës Ushtarake të Maqedonisë, e cila do të jetë me frymën multietnike të Marrëveshjes së Ohrit.Shtatmadhoria e Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) ka formuar komision të posaçëm, i cili duhet ta caktojë pamjen e ardhshme të uniformës së Gardës Ushtarake të Maqedonisë. Qëllimi i punës së këtij komisioni do të jetë që të caktojë pamje të re të Gardës Ushtarake të Maqedonisë, e cila do të jetë me frymën multietnike të Marrëveshjes së Ohrit. Komisioni udhëhiqet nga gjenerali shqiptar, Adil Gazaferr.
Në sqarimin e dhënë në urdhrin e Shtatmadhorisë dhe Planit dinamik për zbatim të urdhrit, thuhet se me ndryshimin e uniformës së gardës, do të arrihet kompatibilitet me strukturat e NATO-s.
Para se të sjellë vendimin përfundimtar, për pamjen e uniformave, komisioni i formuar për këtë çështje do të vizitojë tre vende multietnike evropiane për të parë përvojat e tyre.
Kundër idesë për uniforma multietnike të gardës së ARM-së të martën është shprehur partia opozitare VMRO - Popullore.
Kjo parti ka kërkuar prej presidentit Branko Cërvenkovski që të mos punojë në mënyrë “sekrete dhe konspirative” dhe t’i sqarojë shkaqet për veprimin e këtillë të Shtatmadhorisë.
Deputeti i VMRO-Popullores Gjorgji Trendafillov, në një konferencë shtypi, pyeti nëse gardistët në të ardhmen, në vend të kapelës së Goce Dellçevit, do të mbajnë plis shqiptar.
“Ndryshimi i uniformave të gardistëve mund të sjellë shqetësim mes qytetarëve të Maqedonisë dhe zhvendosje të perceptimit për shtetësinë dhe atributet shtetërore të Maqedonisë”, tha Trendafillov.

I. Saliu, lajm
Shtuar më 08/03/2006, ora 17:25
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori