Plehrat pa doganë në Shqipëri, nisin protestat
Pëlqej
Pak ditë pasi miratoi ligjin për importin e mbetjeve të riciklueshme, qeveria po përgatit një tjetër masë që nxit futjen e mbeturinave në vend.

Top Channel ka mësuar se Këshilli i Ministrave ka hartuar një draft, i cili heq tarifat doganore për importin e një numri të madh mbeturinash. Projektligji “për disa ndryshime në ligjin nr 9981 për miratimin e nivele doganore" mban datën 10 nëntor 2010 dhe pritet që shumë shpejt të dërgohet në kuvend për miratim.

Drafti lejon importin pa tarifë doganore të një sërë tipeve të mbetjeve. Më konkretisht, tarifat e mbeturinave urbane, nga dy bëhet zero. Ajo e llumrave të ujërave të zeza po kështu bëhet zero.

Dogana hiqet edhe për mbeturinat klinike si dhe dhe ato të halogjenizuara. Ulja më e fortë e tarifave bëhet për ato mbetje të cilat projektligji dhe kodi doganor i kategorizojnë si të tjera. Dogana e këtyre llojeve të mbeturinave nga 10 për qind që është aktualisht do të bëhet zero me projektligjin e ri.

Qeveria e argumenton heqjen e doganave të plehrave si një detyrim që i rrjedh nga marrëveshjet që ka me organizatën botërore të tregtisë. Por këto nisma janë kundërshtuar ashpër nga zërat e ambientalistëve dhe madje edhe nga opozita, të cilët thonë se Shqipëri është një vend i tejmbushur me mbetje.

Madje sipas tyre këto nisma do krijojnë hapsira për për përfshirjen e qarqeve mafioze, pasi industria e plehrave është një nga më të preferuarat për to.
Grupimi i reagimit qytetar do të protestojë të shtunën paradite përpara kryeministrisë, kundër vendimit të qeverisë për importin e mbetjeve. Përfaqësues të këtij grupimi kanë deklaruar se qeveria duhet të plotësojë kuadrin ligjor për importin e këtyre lëndëve, me qëllim ruajtjen e mjedisit

“Ne jemi këtu që t’ju ftojmë të bashkoheni nesër në tubimin tonë në orën 11:00 para kryeministrisë për ti kërkuar kryeministrit të këtij vendi që të plotësojë sa më parë dhe në mënyrë sa më të plotë kuadrin ligjor dhe nënligjor për importin e mbetjeve. Ne duhet të kemi një kuadër ligjor dhe një infrastrukturë të plotë për importimin e mbetjeve konform standarteve të BE”,- u shpreh Lavdosh Feruni kreu i këtij grupimi

Grupimi i reagimit qytetar i ka bërë apel qeverisë dhe pushtetit vendor që të përfshihet në një fushatë kombëtare apo lokale për të pastruar Shqipërinë nga plehrat.

Burime nga ministria e Mjedisit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për “lëndë të parë” për industrinë ricikluese, që mund të largojë 6000 tonë mbeturina në muaj dhe nuk bëhet fjalë për “import plehrash". Por ky vendim është kritikuar nga shumë shoqata ambientalistësh.
Shtuar më 19/11/2010, ora 17:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori