Platforma online e rindërtimit, ministria e Zhvillimit: Mbyllet nesër aplikimi
Nga 29 janari kur nisi procesi i deklarimit online të familjeve të prekura nga tërmeti deri tani në platformë janë kryer 36,100 aplikime.

Sipas Ministrisë së Rindërtimit dhe Zhvillimit për shkak të fluksit të aplikimeve, numri i tyre pritet të ndryshojë deri në përfundimin e afatit të procesit. Procesi i aplikimit online të familjeve të dëmtuara i nisur rreth 1 muaj më parë do të mbyllet më 28 shkurt.

Platforma online “Shtëpia ime” e prezantuar nga qeveria pas ngjarjes së tërmetit ka si qëllim identifikimin e familjeve të dëmtuara, përfshi edhe dokumentacionin që ata zotërojnë për pronën.

Pra çdo familje e dëmtuar nga tërmeti duhet të deklarojë online aktin e konstatimit të dëmit, si dhe dokumentacionin e pronës me qëllim përfitimin e shpërblimit ose rindërtimit të shtëpisë. Familjet që aplikojnë në platformë, në mbyllje të fazës së parë, nëpërmjet sistemit të pikëzimit sipas klasifikimit dhe vlerësimit të rasteve do të shpërblehen për dëmet ose do t’iu rindërtohet banesa.

Si kryhet aplikimi

Ministri Arben Ahmetaj më herët në prezantimin e platformës tha se aplikimi online është domosdoshmëri për të përfituar nga programet e rindërtimit.

“Vetëm nga aplikimi qytetarët e prekur nga tërmeti do të mund të përfitojnë nga programet e rindërtimit. Aplikimi është I detyrueshëm dhe shoqërohet me dosjen ligjore.

Në çdo bashki nga 29 janari duhet të ketë një zyrë, ose një sportel të posaçëm, në rastin e Durrësit, Shijakut, Tiranës që kanë më shumë qytetarë. Nuk mund të kalohet në hapat e tjera, pa kryer aplikim online”, tha Ahmetaj.

Sipas tij në aplikim qytetarët duhet të deklarojnë dokumentacionin për pronën, këtu përfshirë edhe banesat e palegalizuara, si dhe dëmet e shkaktuara, si akt konstatimi dhe akti i thelluar.

Nga të dhënat e Ministrisë së Zhvillimit 15 deri në 20 për qind të banesave të dëmtuara nuk kanë akte konstatimi, apo asnjë dokument tjetër. Për këto raste parashikohet që vlerësimi do të kryhet nga inxhinierët e bashkisë dhe anëtarë të tjerë të komisionit.

Përfituesit

Me mbylljen e procesit të aplikimit, sipas Ahmetajt sistemi i pikëzimit përzgjedh automakisht sipas prioritetit se si do të veprohet me ndërtesën . “Sipas programit të granteve nëse ti je dëmtuar lehtë do të shpërblehesh nga qeveria deri në 100 mijë lekë. Nëse ke dëmtim mesatar, i klasifikuar si DS 2 granti është 250 mijë lekë. DS3 që është dëmtim më I lartë deri në 500 mijë DS4 është për rindërtim, kompensim I plotë”, shpjegoi Ahmetaj.

Do të shemben 115 pallate në rang vendi, ja dëmet e tjera

Dëmet e tërmetit të 26 nëntorit llogariten rreth 1 miliardë euro, ku sipas Ministrisë së Rindërtimit dhe Zhvillimit pjesa më e lartë e faturës totale të dëmeve është për dy qytetet kryesore të vendit, Tiranës dhe Durrësit me vlerë 613 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, pas inspektimit rezultoi se në rang vendi janë për t’u shembur 115 pallate, ku numri më I lartë rezulton në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar janë 242 pallate

Në Tiranë u dëmtuan 35,085 banesa dhe 60 biznese. Në kryeqytetet nuk pati dëme në strukturat akomoduese, si hotele. Durrësi është qyteti më shumë I prekur nga tërmeti, ku rezultojnë të dëmtuara 37,179 banesa dhe 343 biznese, duke përfshirë ato të tregtisë, industrisë, prodhimit dhe magazinat. Numri i hoteleve të dëmtuara llogaritet në 52 njësi.

Numri më I lartë i shembjeve do të jetë për shtëpitë individuale apo siç njihen ndryshe shtëpitë private. Referuar shifrave të Ministrisë së Rindërtimit numri I tyre llogaritet në 1,523 objekte. Numri më i lartë i tyre është në Krujë në 814 dhe në Vorë në 369 shtëpi. Në Shijak do të shemben 99 shtëpi individuale dhe në Kamëz 81. Për t’u riparuar janë 607 shtëpi individuale./monitor/
Shtuar më 27/02/2020, ora 10:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori