Shpërthimi në shtëpinë e Dukës, fqinjët kërkojnë dëmshpërblim: Ç’borxh kam unë të paguaj kusuret e kriminelit

Banorët e pallatit në Fresk ku ndodhi shpërthimi në derën e apartamentit të Muhamet Dukës janë shprehur të trembur nga ngjarja.
Persona ende të paidentifikuar vendosën në orët e para të mëngjesit sot një lëndë shpërthyese në derën e banesës së Muhamet Dukës, baba i Leonard dhe Elis Dukës, kundërshtarë të Ervis Martinajt.

Nga shpërthimi nuk ka të lënduar, sakaq janë apartamenti i Dukës gjithashtu edhe të fqinjëve kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga shpërthimi.

Fqinjët shprehen të pasigurt për jetën e tyre, ndërsa kërkojnë mbrojtje nga shteti.
Njëri nga fqinjët i bëri thirrje shtetit të shtojë sigurinë, ndërsa iu drejtua dhe Muhamet Dukës duke i kërkuar pagesën për dëmet e shtëpisë.

Ai thotë se ngjarja është situatë e përsëritur. “Ç’borxh kam unë të paguaj kusuret e kriminelit”, tha fqinji ndër të tjera.

“Unë s’dua t’ia di fare. Shteti duhet të vërë dorë. Kush është kriminel të arrestohet. Është situatë e përsëritur, shteti e di shumë mirë. Vjen policia në 3-4 të mëngjesit për të kapur njerëz e nuk i kap dot. Shteti duhet të jetë korrekt, duhet siguri e fortë. I bëj thirrje Mehmet Dukës të vijë të më takojë, të më bëjë derën, të më paguajë dëmin që është bërë edhe jemi në rregull. Me shtetin ta gjejë vetë ai, unë nuk ja kam borxh Mehmet Dukës që të më vrasë mua me gjithë gruan. As i kam borxh, as më ka borxh,” – u shpreh qytetari.

Leonard Duka njihet si rivali më i madh i Ervis Martinaj. Më 14 shkurt të këtij viti, ai u arrestua nga autoritetet belge në Bruksel pasi iu gjetën armë zjarri në banesë dhe një sasi e konsiderueshme parash. Duka akuzohet se ka gisht në vrasjen e Santiago Malkos, i ekzekutuar më 27 gusht 2019, mik i afërt i të zhdukurit Ervis Martinaj./albeu.com/


Shtuar 18.04.2023 11:13