Konflikti Rusi-Ukrainë po nxit një transformim strategjik të rendit botëror

Nga Rebekah Koffler “Fox News

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Të martën, një avion luftarak rus SU-27 rrëzoi një dron vëzhgues amerikan mbi Detin e Zi.  Ky ishte incidenti i parë ushtarak më serioz i këtij lloji i viteve të fundit, që mund të kishte sjellë një konflikt të drejtpërdrejtë midis Rusisë dhe SHBA-së.

Edhe nëse Moska dhe Uashingtoni mund të arrijnë ta shmangin një përplasje të tillë katastrofike, lufta e tyre e tërthortë mbi Ukrainën, e cila ka hyrë në vitin e saj të dytë, do ta transformojë botën në terma afatgjatë. Dhe ja cilat do të jenë 3 ndryshimet kryesore strategjike që duhen pasur parasysh.

  1. Lufta e përhershme në Evropë

Të tre palët në luftë – Moska, Kievi dhe Uashingtoni – janë të motivuara të vazhdojnë luftën. Putini e sheh si ekzistencial rezultatin e luftës. Rusia, që e ka parë zonën e saj tampon me NATO-n të reduktohet me deri në 160 km, pasi shtetet baltike iu bashkuan aleancës në vitin 2004, ka tërhequr një “vijë të kuqe” në lidhje me Ukrainën.

Kapaciteti dhe burimet njerëzore të Rusisë janë më të mëdha se ato të Ukrainës, duke i dhënë mundësi Putinit të vazhdojë një luftë të gjatë shkatërruese. As presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy nuk mund të tërhiqet. Ai personifikon sot imazhin e një presidenti të kohës së luftës dhe luftëtarit të lirisë.

Humbja e statusit të tij si një hero global që kapitullon përballë Putinit, do të nënkuptonte që ai nuk mund të siguronte më para nga SHBA dhe Evropa, nga të cilat vendi i tij është plotësisht i varur për mbijetesë, pasi kapaciteti industrial dhe baza bujqësore e Ukrainës janë shkatërruar tashmë.

Uashingtoni e sheh mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën si një investim me një kosto efektive në dobësimin ushtarak dhe ekonomik të Rusisë, një kundërshtar kryesor i SHBA-së. Duke pasur parasysh mbështetjen kryesisht dypartiake në Kongres për financimin e Ukrainës, një lloj ndihme ushtarake ndaj Kievit pritet që të vazhdojë.

Kjo gjë ka të ngjarë ta pengojë Rusinë të sigurojë një fitore të qartë ushtarake, por nuk do ta frenojë Putinin. Anëtarësimi i ardhshëm i Suedisë dhe Finlandës në NATO do të shtojë më tej frikërat e Rusisë për sigurinë e saj. Rusia ndan një kufi prej 1340 km me Finlandën. Pranimi i këtyre dy vendeve në aleancë do të dyfishojë automatikisht kufirin midis NATO-s dhe Rusisë, nga rreth 12017 km aktualisht në rreth 2575. Ky fakt ka të ngjarë ta nxisë Rusinë të shtojë aktivitetet e saj destabilizuese në rajon, duke krijuar një tension të përhershme në Evropë.

Vlerësimi vjetor i kërcënimit për vitin 2023 i publikuar nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (DNI) e cilësoi si “të rëndësishëm” rrezikun e një përshkallëzimi të konfliktit Rusi-Ukrainë në një konfrontim më të gjerë ushtarak midis Rusisë dhe Perëndimit. Kjo do të kishte një efekt të qëndrueshëm destabilizues në Evropë.

  1. Kërcënimi i katërfishtë nga koalicioni anti-perëndimor në ngritje

Vlerësimi i DNI  paralajmëroi mbi kërcënime “komplekse” ndaj Shteteve të Bashkuara të paraqitura nga Kina, Rusia, Koreja e Veriut dhe Irani. Secila prej tyre veç e veç, paraqiste tashmë një kërcënim të madh për vendin tonë. Nëse ata koordinojnë veprimet së bashku, kërcënimi do të shumëfishohej në mënyrë eksponenciale.

Të katër vendet kanë arsenale të frikshme të sulmeve kibernetike, dhe synojnë vazhdimisht rrjetet amerikane. Kina, Irani dhe Koreja e Veriut kanë ofruar ndihmë ushtarake për Rusinë, duke e zgjatur konfliktin në Ukrainë. Rusia dhe Irani ka të ngjarë të kenë përfunduar një  marrëveshje të fshehtë bërthamore, e cila do të lejojë transferimin e uraniumit në programin e paligjshëm të armëve të Teheranit.

Anëtarët e këtij koalicioni në ngritje anti-SHBA janë trimëruar edhe nga afërsia e tyre në rritje. Sipas vlerësimit të fundit të CIA-s, presidenti kinez Xi Jinping e ka udhëzuar ushtrinë e vendit të tij “të jetë gati deri në vitin 2027” për të sulmuar Tajvanin. Dhe sipas raportit të DNI, Kina synon të përpiqet ta pengojë ndërhyrjen e SHBA-së në këtë konflikt.

Sipas raportit të DNI-së, Irani, që “ka zhvilluar rrjete zëvendësuese brenda Shteteve të Bashkuara” do të synojë “amerikanët drejtpërdrejt por dhe me anë të sulmeve përmes palëve të treta”. Një raport tjetër i fundit zbulon se Irani synon të sulmojë asetet dhe institucionet strategjike të sigurisë në SHBA, duke bërë thirrje për vrasje dhe rrëmbime, si dhe duke hartuar “lista vrasjesh” që synojnë zyrtarë të zbatimit të ligjit brenda SHBA-së. Edhe Koreja e Veriut po i rrit aftësitë e saj bërthamore dhe konvencionale duke synuar SHBA-në dhe aleatët e saj. 

  1. Shfaqja e Kinës si qendra e gravitetit gjeopolitik

Kohët e fundit, Kina e habiti botën duke ndërmjetësuar një marrëveshje, e cila rivendosi marrëdhëniet midis Iranit dhe Arabisë Saudite, duke i dhënë fund armiqësive shumëvjeçare midis të dyja këtyre vendeve. Kjo lëvizje po e riorganizon fuqinë në Lindjen e Mesme, duke e reduktuar ndikimin e SHBA-së dhe duke dëmtuar sigurinë e Izraelit.

I inkurajuar nga suksesi i tij diplomatik, Xi Jinping është i etur tani që të ndërmjetësojë një marrëveshje paqeje në Ukrainë, teksa ka njoftuar planin e tij për t`u takuar fizikisht me presidentin rus Putin në Moskë dhe online me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy.

Roli i ri i Pekinit si ndërmjetës i pushtetit është në përputhje me ambiciet strategjike të Kinës për ta spostuar SHBA-në si fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake në botë deri në vitin 2049.

Po ashtu Kina dëshiron që të zëvendësojë dollarin amerikan me juanin e saj si monedhën kryesore rezervë në botë, dhe të zëvendësojë sistemin financiar perëndimor me alternativën kineze. Dhe politika miope e sanksioneve nga ana e Uashingtonit po e përshpejton këtë proces.

SHBA-ja ka vendosur sanksione shumë të ashpra kundër Rusisë, dhe ka sekuestruar miliarda asete ruse si ndëshkim për pushtimin e Ukrainës nga Vladimir Putin. Departamentet e Drejtësisë dhe Thesarit të SHBA-së nisën zbatimin e programit REPO (elitat ruse, përfaqësuesit e tyre dhe oligarkët) me pjesëmarrjen e Australisë, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Komisionit Evropian.

Anëtarët e REPO punojnë së bashku për të hetuar dhe ndjekur penalisht aleatët e Putinit.

Kjo politikë, e diktuar nga ideologjia dhe jo nga interesat kombëtare të SHBA-së, nuk e ka ndryshuar aspak sjelljen e Putinit. Nga ana tjetër përdorimi si një arme si dollarit amerikan, po e dëmton besimin e vendeve joperëndimore tek kjo monedhë, duke i nxitur ato që të ulin rrezikun duke i de-dollarizuar rezervat e tyre monetare.

Në tetor 2022, juani kinez u bë monedha e pestë më e tregtuar në botë, duke tejkaluar monedhat australiane, kanadeze dhe zvicerane. Kina po e drejton këtë prirje duke shtuar transaksionet me Rusinë e sanksionuar rëndë, e cila ka ndjekur një politikë të de-dollarizimit si një mënyrë për të lehtësuar ekonominë e saj.

Vende të tjera joperëndimore ka të ngjarë ta zvogëlojnë varësinë e tyre nga dollari nga frika se mos bëhen objektiva të politikës së sanksioneve të SHBA-së. Presidenti Biden duhet të nisë të mendojë strategjikisht dhe shpejt.

Lufta Rusi-Ukrainë është një konflikt lokal midis vendeve me të cilat SHBA nuk ka aleanca. Ai duhet të marrë parasysh pasojat më të mëdha të vendimit të tij për t’u përfshirë thellë në këtë konflikt dhe pasojat që kërcënojnë rendin botëror që e ka mbrojtur dhe përmirësuar sigurinë kombëtare dhe ekonomike të SHBA-së për dekada me radhë. /albeu.com

Shënim:Rebekah Koffler, një ish-oficere e inteligjencës në DIA dhe autore e librit “Manuali i Putinit:Plani sekret i Rusisë për ta mposhtur Amerikën”.

 


Shtuar 18.03.2023 09:32