Plas sherri në Kuvend për spotin e LSI, Meta-Patozit: Merre me qetësi dhe dashuri
Pas akuzave të ardhura nga PD se LSI po manipulon votat, referuar edhe spotit, Meta replikoi në seancën e sotme plenare me deputetin e PD-së, Astrit Patozi.

“LSI na shfaqi një spot kundër shitjes së votës, por mendoj se ai spot duhet të ndalet, pasi është poshtërues për parlamentin, për votuesit shqiptarë dhe për opozitën”, tha deputeti demokrat.

Por në heshtje nuk ka qëndruar edhe Meta, i cili tha se spoti nuk është thjesht që qytetarët të mos e shesin votën, por të denoncojnë cilindo që tenton të blejë votën e tyre.

“Pas atij spoti kanë filluar denoncimet dhe media po paraqet se si në mënyrë mafioze janë shtuar në listat e Bashkisë Vorë mbi 600 persona. Por, ju jeni mësuar të gënjeni dhe të shpifni”, i'u drejtua Meta, Patozit.

“Përfitoj nga rasti, vijoi ai, t’i kërkoj misionit të OSBE/ODIHR-it dhe gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë që të sjellin sa më shumë vëzhgues në të gjitha zonat, sidomos ku ju(opozita) keni më shumë pretendime, kudo. I kërkoj medias që të monitorojë me transparencë maksimale situatën para zgjedhjeve dhe do të jemi këtu për të denoncuar cilindo që synon të cënojë standardin e zgjedhjeve”, deklaroi kryetari i Kuvendit.

Debatet
Patozi: Dje, LSI-ja shfaqi një spot publicitar kundër shitjes së votës. Ky spot, është njësoj sikurse ISIS t’i kërkojë botës që të ruhet nga terrorizmi, apo sikur Sepp Blatter të dënojë korrupsionin në FIFA.

Mund të gjej edhe shumë krahasime të tjera, por më e rëndësishmja është se ai spot duhet të ndalet. Dikush mund të thotë me të drejtë se kush jam unë që ta bëj këtë. Dakord jam. Por po këmbëngul sepse ai spot shkon përtej çdo cinizmi. Është poshtërues për këtë Parlament dhe për votuesit shqiptarë. Kjo nuk është poshtërim për opozitën, por për çdokënd që beson në vlerat reale. Është një thirrje për këtë Parlament.

Por po i drejtohem kolegëve të mi të shumicës, që në pamje të parë kanë shumë gjëra në dorë, por s’kanë asgjë. Ne duhet të reagojmë ndaj kësaj sëmundjeje. Dhe as rezultatin të deformuar, nga ata që kanë bërë spotin. Kurrë mos besoni se jeni bërë të pathyeshëm se keni blerë të gjitha pushtetet. Qeveritë këtu kanë rënë kur i kanë patur të gjitha.

Meta: Meqenëse këtu paska rënë një sëmundje e rrezikshme ku dikush përpiqet të paraqesë veten si viktimë se kryetari i Parlamentit ka kaq frikë nga fjala e tij që të fusë një reklamë që të mos dëgjohet, e ftoj të flas sa herë të dojë. Ai spot nuk ndalon dhe ai spot nuk është thjesht që qytetarët shqiptarë të mos shesin votën, por të denoncojnë cilido të blejë votën e tyre.

Juve u dhemb shumë ai spot se ju për zgjedhjet më të mira mbani ato të 1996. Si modelin më të mirë të standardit të zgjedhjeve keni standardin e Fiqos në Vorë. Pas atij spoti kanë filluar denoncimet dhe media po paraqet se si në mënyrë mafioze janë shtuar 600 vetë në Vorë. S’po hyj këtu te modeli i miellit që shpërndahet dhe kapet. Këto janë histori të tjera. Për pretendimet për kontrolle të qëllimshme shpresoj ti ketë thënë Fiqo që i ka parë dokumentet nga ministri i Bujqësisë. Jeni mësuar të gënjeni dhe të shpifni. Për ju personalisht mendoja që kishit një shkallë integriteti. S’mbaj përgjegjësi unë që ju gjithë javën bëni plazh dhe vini të enjten këtu dhe flisni për manipulime.

Patozi: U shpërndave shumë dhe trajtove shumë problematika. Lidhur me zgjedhjet e 1996 nuk jam nga ata pavarësisht që i përkas PD, që i mbaj si zgjedhjet më të mira në Shqipëri. Në 1996 kemi qenë duke bashkëpunuar në atë kohë për të spiunuar Nanon. Kemi qenë edhe para 3 vjetësh për të bërë copë Edi Ramën. Ndoshta do bashkëpunojmë prapë. Unë te PD do jem gjithmonë. Ti përmende Vorën, atje të shkoi gjuha.

Meta: Ti Vorën do humbasësh.
Patozi: Unë nuk bie në nivelin tënd që shkon lart e poshtë me fotografi mielli.
Meta: Nuk ke pse nxehesh. Merre me qetësi dhe dashuri. Nuk ke pse shpif.
Patozi: Me qetësi dhe dashuri çoje deri në fund edhe një vit. Të kanë rënë të dy degët e sloganit, edhe qetësia edhe dashuria.
Meta: Do ti kem në konsideratë këshillat tuaja dhe ju ftoj të bashkëpunojmë me standardet e zgjedhjeve. /albeu.com/




Shtuar më 11/06/2015, ora 16:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori