"Plas" në Qeveri, Rama kërkon shkarkimin e drejtorëve...
Drejtorët teknikë të vendosur pas marrëveshjes Rama-Basha pritet të shkarkohen. Burime pranë ministrave teknikë pohojnë se atyre u është kërkuar nga Kryeministri Rama që të shkarkojnë drejtorët e përgjithshëm të emëruar nga Partia Demokratike për efekte elektorale.

Rama u ka kërkuar ministrave që të vijojnë punën e tyre deri në muajin shtator, kur do të miratohet në Kuvend qeveria e re. Kryeministri Rama e ka argumentuar shkarkimin e tyre me përfundimin e objektit të emërimit të tyre dhe emërimin e drejtorëve të PS-së, të cilët duhet të kenë kompetenca të plota për t’u ofruar shërbime qytetarëve në zyrat e ALUIZNI-t, Drejtorisë së Burgjeve, të Hipotekave dhe të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural, shkruan Panorama.

Por sipas të njëjtave burime, ministrat teknikë nuk kanë pranuar që të propozojnë shkarkimin e tyre. Në këto kushte, pritet që Kryeministri Rama të firmosë vetë largimin e tyre, por si efekt i këtij veprimi mund të ketë akte dorëheqjeje nga vetë ministrat teknikë të PD.

Pas emërimit të gjashtë ministrave teknikë dhe zv.kryeministres Mandija, në fillim të muajit qershor nisi dhe emërimi i drejtorëve teknikë, qëllimi i të cilëve ishte ruajtja e administratës publike nga përfshirja e saj në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

krye të Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNIt u emërua Ibrahim Morina. Arjan Bylykbashi u emërua drejtor teknik i Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, apo Hipotekave, Arjan Hoxha u emërua drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Fadil Shahini, drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural dhe Haki Mustafa në krye të OSHEE-së.

Gjatë qëndrimit njëmujor të tyre në krye të institucioneve, u regjistruan disa denoncime të drejtuesve rajonalë të burgjeve, hipotekave, ALUIZNI-t, por dhe OSHEE-së, të cilët u shkarkuan dhe u kallëzuan penalisht për përfshirje të tyre në fushatën zgjedhore. /albeu.com/
Shtuar më 04/07/2017, ora 17:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori