Plas keq brenda PD, edhe dhëndri i Berishës sulmon Bashën
Është vendosur të mos pranohet kërkesa e Patozit dhe Selamit për shtyrjen e zgjedhjeve brenda PD-së. Rezultati i votimit të këtij propozimi dje në Kryesi ishte 11 vota pro kërkesës së grupit kundër Bashës nga 45 anëtarë që ka Kryesia e PD.

Dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, në përfundim të afateve për regjistrimin e kandidatëve për kreun e ri të PD-së thirrën mbledhjen e Kryesisë për të përcaktuar kandidatët zyrtarë dhe anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve.

Kreu i Departamentit të Pronave, Gent Malko, kreu i Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, dhe kreu i Departamentit të Financave, Sherefedin Shehu, kërkuan që mbledhjen ta drejtonte sekretari i përgjithshëm Arben Ristani dhe dy sekretarët Enno Bozdo dhe Fatbardh Kadilli, shkruan Panorama.

PJESE NGA DEBATI NE KRYESI

Gent Malko: Tani duhet të bëjmë diçka të qartë, kërkesa për mbledhjen e kësaj Kryesie është antistatutore, njësoj si procesi që keni nisur për zgjedhjen e kryetarit. Kërkojmë që kjo procedurë antistatutore që keni nisur të ndërpritet.

Madje, edhe drejtimin e kësaj mbledhjeje në bazë të statutit duhet ta ketë z.Ristani, Bozdo e Kadilli. Unë dhe kolegët e mi kërkojmë që procedura për zgjedhjen e kryetarit të hidhet në votim, por jo me ngritje duarsh, por me votim të fshehtë. Ky nuk është mendimi im personal, e mbështet 1/6-a e Kryesisë dhe kjo duhet respektuar.

Jamarbër Malltezi: Zhvillimi i procesit për zgjedhjen e kryetarit në një procedurë kaq të shpejtë, e bën procesin qesharak. Po kaq qesharak e bëjnë këtë proces edhe një pjesë e kandidaturave që janë bërë pjesë e garës. Mendoj se fillimisht duhet të nisim një proces analize për humbjen në zgjedhje, pastaj të vijojmë me këtë proces.

Edi Paloka: Ne mund të kemi shumë dëshira dhe sugjerime, që në gjykimin personal të gjithsecilit mund të duken të drejta. Por ne këtu jemi për t’iu referuar vetëm kushtetutës së forcës sonë politike, që është statuti.

Dhe statuti na e përcakton se zgjedhjet duhet t’i zhvillojmë më 22 korrik. Në garë do të jenë kandidatët që kanë plotësuar siç duhet procedurën, prej të cilëve rezulton se është vetëm z. Basha dhe z. Selami.

Propozoj që këta dy emra të jenë edhe kandidatët zyrtarë në garën për kreun e PD-së. Z. Patozi, pavarësisht vullnetit të shprehur, ka përcaktuar disa kushte për të marrë pjesë në garë, të cilat rrethanat i bëjnë të parealizueshme, ndaj edhe rrjedhimisht nuk mund të kualifikohet si kandidat. /albeu.com/

Shtuar më 04/07/2017, ora 09:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori