Plani për Kosovën para Këshillit të Sigurimit
Albeu.com
Plani i të dërguarit të Posaçëm të OKB-së për Kosovën, Martti Ahtisaari, të martën do t'i paraqitet për herë të parë Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Z. Ahtisaari pritet që t'u përgjigjet edhe pyetjeve të anëtarëve të KS rreth planit të tij.Pritet që Këshilli i Sigurimit të votojë muajin e ardhshëm për planin, i cili propozon pavarësinë e Kosovës nën mbikqyrjen e komunitetit ndërkombëtar.

Rusia, që ka të drejtën e vetos, ka kërkuar më shumë kohë për ta shqyrtuar planin dhe për negociata.Plani i z. Ahtisari është hedhur poshtë nga aleatja e saj, Serbia.Në të propozohet pavarësia e Kosovës, si rrugëzgjidhja e vetme për siguruar stabilitetin politik dhe ekonomik të rajonit.

Një korrespondente e BBC-së në OKB thotë se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka deklaruar se e mbështet plotësisht planin e z.Ahtisaari.

Takimi i parë

E marta shënon herën e parë kur propozimi i z. Ahtisari do t'i paraqitet formalisht Këshillit të Sigurimit.Do të jetë ky organizëm që pritet më pas të miratojë një rezolutë për të statusin e ardhshëm të Kosovës.

Kosova ndodhet nën administrimin ndërkombëtar që nga qershori i vitit 1999.Kërkesa e Rusisë që ka të drejtën e vetos për shtyrjen e procesit, ka shkaktuar frikë në mesin e disa diplomatëve, që druhen se vonesat mund të çojnë në trazira të reja në rajon.

Gjatë konfliktit të vitit 1999 me Serbinë në Kosovë rreth 10 mijë shqiptarë u vranë dhe mijëra të tjerë u detyruan të braktisnin shtëpitë e tyre.
Shtuar më 03/04/2007, ora 10:16
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori