Plani i ri serb për Kosovën
Albeu.com
Një burim i besueshëm diplomatik nga Beogradi njoftoi në konfidencë se Serbia, në kushtet e konfuzionit dhe të izolimit diplomatik ndërkombëtar, ku e pa veten këtë javë me pezullimin më 3 maj nga Komisioni Europian të bisedimeve per Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimi Evropian, ka planifikuar të paraqesë një propozim të ri për Kosovën.Thelbi i këtij propozimi, që ende nuk ka marrë njohje publike, është që përcaktimi i statusit final të Kosovës të bëhet pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat rregullisht duhet të mbahen nga fundi i vitit tjetër. Ky propozim po konsultohet në kanale diplomatike me disa shtete te Bashkimit Europian dhe po synohet që të arrihet mbështetje me argumentin se një gjë e tillë do ti shërbejë konsolidimit të forcave demokratike në Beograd dhe nuk do të lejojë forcat radikale nacionaliste të forcohen aq sa të marrin pushtetin, pranë të cilit ata janë kaq shumë.
Në dukjen e tij propozimi është i ri, por në themel ka një objektiv të lexueshëm të qeverisë së kryeministrit Vojislav Koshtunica, për të cilin ai po përpiqet qysh kur filluan bisedimet ndërkombëtare për statusin përfundimtar të Kosovës nën kujdesin e të dërguarit të posaçëm të sekretarit të përgjitshëm të OKB-së, ish presidentit finlandez Marti Ahtisari.
Objektivi është që të bindet BE dhe diplomacia europiane, katër vende të të cilave janë anëtarë të Grupit të Kontaktit, që ta shtyjnë sa më shumë afatin e përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës dhe të fitohet kohë. Ështe e njohur se përpjekja e Beogradit për të bindur faktorët kryesorë ndërkombëtarë për shtyrjen sa më shumë, ose siç kërkonte presidenti serb B.Tadiç 15-20 vjet të këtij afati, nuk ka patur suksesin e pritshëm për diplomacinë serbe. Shtetet kryesore anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe të Grupit t Kontaktit dhe sidomos SHBA e kane deklaruar publikisht dhe zyrtarisht se përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës duhet të bëhet brenda këtij viti.
Qeveria e Koshtunicës, e vënë në një pozicion tepër të vështirë si para Bashkimit Europian, ashtu dhe në sytë e opinionit publik ndërkombëtar për mosveprimin me dashje në drejtim të dorëzimit të kriminelit të luftës Ratko Mlladiç, po bën një lojë me dy porta. Nga njëra anë ajo i shpreh BE-së dhe Gjykatës së Hagës gatishmërinë për të arrestuar dhe dorëzuar Mlladiçin dhe nga ana tjetër vetë Koshtunica nxit histerinë nacionaliste dhe antiperëndimore duke i drejtuar me 3 maj kritika BE-së për pezullimin e bisedimeve se ky hap “ do të dëmtojë Serbinë”. Nga kjo lojë e vështirë ekuilibristi politik mes qendrimeve prodemokratike e proeuropiane dhe qendrimeve nacionaliste antiperëndimore, ai po kërkon të përfitojë duke ndërmarrë ndonjë përçapje në planin diplomatik. Është pikërisht në këtë kuadër që u hodh në kanalet diplomatike propozimi për të shtyrë përcaktimin e statusit të Kosovës deri në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhëshëm në Serbi. Sipas diplomatëve serbë, kjo do ti jepte mundësi Serbisë që të arrestonte në qetësi dhe jo nën presion ndërkombëtar Ratko Mlladicin, edhe të ndihmonte për arrestimin e Karaxhiçit, por edhe për të shpënë përpara proçesin e integrimit europian të Serbisë pa i vënë kushte, siç është bashkëpunimi me Gjykatën e Hagës. Sipas tyre, këto kushte dëmtojnë forcat demokratike serbe dhe meqë forcat nacionaliste janë të shumta, ahere BE dhe faktori ndërkombëtar duhet ta tolerojnë Serbinë.
Por çështja është se forcat nacionaliste serbe nuk janë se janë mallëngjyer nga masa e BE-se për të pezulluar bisedimet për MSA-në. Ata janë kundër proçesit të integrimit euroatllantik të Serbisë dhe e kanë pohuar në programin dhe fjalimet e tyre se orientimi i tyre i politikës së jashtme është Rusia. Nëse Koshtunica do të jepte Mlladiçin për të fituar rinisjen e bisedimeve me BE-në, për forcat nacionaliste kjo nuk do të ishte një fitore.
Ahere Koshtunica, që politikisht dhe shpirtërisht është më afër këtyre forcave, se sa grupeve të moderuara si ai i ish zëvëndëskryeministrit M.Labus, del në kartën e vjetër dhe të njohur të të gjithë partive nacionaliste radikale apo të moderuara serbe, rimarrja e Kosovës. Në këtë kuadër ai inicion propozimin për të shtyrë përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës deri nga fundi i vitit tjetër.
Me këtë plan ai edhe merr me të mirë forcat radikale nacionaliste, mbështetjen e të cilëve ai e gëzon në parlament dhe në sajë të së cilës qëndron në këmbë edhe qeveria e tij, siç është mbështetja nga partia Socialiste e Sllobodan Millosheviçit. Nga ana tjetër fiton terren politik për vete si kampion i ëndrrës së madhe serbe për Kosovën. Dhe së treti pengon proçesin e bisedimeve për Kosovën dhe godet forcat properëndimore e prodemokratike në Serbi.
Në këtë mënyrë Koshtunica synon të konsolidojë më shumë pozitat e veta politike në pushtet në dëm të forcave vërtet të moderuara si M.Labus e të tjerë. Zëvëndëskryeministri M.Labus, i cili drejtonte bisedimet e Serbisë me Bashkimin Evropian për MSA-në, dha dorëheqjen kur komisioneri për zgjërimin Olli Rehn shpalli pezullimin e këtyre bisedimeve. Si zëvendëskryeministri, por edhe presidenti i Serbisë, u detyruan në publik të pohojnë se ndërprerja e bisedimeve me BE-në është rezultat i premtimeve të pambajtura nga kryeministri Koshtunica për arrestimin dhe dorëzimin e Mlladiçit.
Lëvizja e re taktike diplomatike e kryeministrit Koshtunica, për të lidhur çeshtjen e statusit përfundimtar të Kosovës me zgjedhjet e ardhëshme parlamentare në Serbi, bëhet në një kohë kur bisedimet për statusin po zhvillohen rregullisht mes Beogradit dhe Prishtinës. Serbia merr pjesë në këto bisedime , por jo vetëm planet që ajo po paraqet në çeshtjen e decentralizimit janë irreale, por propozimi i ri diplomatik serb zbulon se synimi është jo për të zhvilluar realisht bisedime, por për të fituar kohë dhe për ti zvarritur bisedimet.
Kjo lëvizje e Koshtunicës ndërmerret në një kohë kur brenda per brenda elitës politike serbe zëra gjithnjë e më realistë po kërkojnë që të pranohet sa më parë realiteti i humbjes së Kosovës publikisht dhe të krijohen premisa për të ndërtuar marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me një Kosovë të pavarur. Koshtunica nuk i përket grupit realist dhe moderator në skenën politike serbe, nuk i ka perkitur asnjëherë dhe një nga përplasjet tij të mëdha me ish kryeministrin e vrarë Z.Xhinxhiç ka qenë pikërisht bllokimi që Koshtunica u bënte reformave demokratike në tre vitet e para pas përmbysjes së Millosheviçit. Tani Koshtunica kërkon që të dobësojë më shumë dhe të godasë pozitat politike të atyre personaliteteve si Labus, Jovanoviç, Svilanoviç, dhe disa here edhe vetë Drashkoviçi, megjithë pirutetat e tij letraro- politike, me qëllim që të bëhet zotërues i vetëm i spektrit demokratik të politikës serbe.
Nuk duket se deri tani propozimi i ri serb për Kosovën dhe kundër statusit përfundimtar të Kosovës, të ketë gjetur ndonje jehonë me rëndësi në tryezat diplomatike, ku është hedhur, në Bruksel apo në disa kryeqytete të tjera europiane.
Por mësimi i rëndësishëm, që del nga ky veprim i ri diplomatik i Serbisë, është se ajo nuk fle deri në minutën e fundit, kur do të merret nga faktori ndërkombëtar vendimi për statusin përfundimtar të Kosovës, duke vepruar aktivisht që ta pengojë dhe ta dëmtoje ose të marrë diçka më shumë si shpërblim. Kjo situatë duhet të zgjojë alarme në udhëheqjen dhe në politikën e Prishtinës, ku personalitetet të mos flenë gjumin e madh me dopingun e faktit të kryer. Lufta diplomatike për statusin përfundimtar të Kosovës , pavarësisht qartësisë gjithnjë e më të kapshme të alternativës së pavarësisë, bëhet çdo ditë e më e ashpër, jo vetëm në skenat politike e konferencat publike, por sidomos në kanalet dhe prapa kuintave diplomatike. G. Shqiptare


Shtuar më 08/05/2006, ora 09:24
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori