EMRI/ U ndalua nga policia për identifikim dokumentash, 32 vjeçari ndërron jetë në spitalin e Traumës

Një 32 vjeçar ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në spitalin e Traumës të Tiranës. E gjithë ngjarja ka ndodhur pas orës 23:07 kur një patrullë e përgjithshme i ka kërkuar shtetasit Laer Kurti që të ndalonte për një kontroll dokumentash.

32 vjeçari është larguar me vrap nga efektivët ndërsa është kapur më pas në rrugën “Don Bosko”. Sipas njoftimit të policisë, i riu ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë shoqërimit të tij në komisariat dhe për pasojë është dërguar në spitalin e Traumës ku edhe ka ndërruar jetë.

Njoftimi i Plotë:

Informacion paraprak i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP)

Më datë 19.10.2022, rreth orës 23:07, Patrulla e Përgjithshme e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë kontrollit të territorit, kanë konstatuar në rrugën “Riza Cuka” një shtetas të cilit i kanë bërë thirrje për të ndaluar me qëllim për t’i kontrolluar dokumentat e identifikimit.

Sapo patrulla i kërkoi për të paraqitur dokumentat e identifikimit, shtetasi L.K., 32 vjeç është larguar me vrap. Punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë arritur ta ndalojnë në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Gjatë shoqërimit të tij, ky shtetas ka shfaqur probleme shendetësore sapo ka mbërritur në ambientet e Komisariatit. Menjëherë është kërkuar ndihma e shërbimit të Urgjencës dhe për shkak se situata shëndetësore e tij është rënduar, ky shtetas është dërguar me mjetet e Policisë në Spitalin e Traumës, ku edhe ka ndërruar jetë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë ka ngritur menjëherë grupin hetimor, i cili po kryen veprimet e para hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjithashtu, aktualisht po kryhen ekzaminimet mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut te vdekjes dhe në përfundim AMP do të dalë me një njoftim përfundimtar për shtyp.