Plagosje dhe shpërdorim detyre, arrestohen 5 persona në kryeqytet
Pesë persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, ku dy prej tyre rezultonin të shpallur në kërkim kombëtar.

Sipas njoftimit të policisë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Akciza”, i finalizuar më datë 06.10.2020, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit K. G., 45 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit "Arrest në burg", për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin I. Sh., 20 vjeç, të cilit Gjykata e Shkallës Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë të shtetasit A. Xh., 47 vjeç, pasi, në rrugën ”Siri Kodra”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. S., 32 vjeç, pasi, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. S., 53 vjeç, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të bërë testin e alkoolit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Shtuar më 27/10/2020, ora 09:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori