Vdes papritur shkencëtari rus, roli që kishte në përpjekjen e dështuar të Moskës për të ulur anijen kozmike në Hënë

Shkencëtari i famshëm rus, i cili luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjen e fundit të dështuar të Moskës për të ulur në Hënë anijen pa pilot Luna25, është gjetur i vdekur nga “helmimi nga kërpudhat”.

Sipas “Moskovsky Komsomolets”, por edhe mediave ndërkombëtare, ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare eksperti rus me famë botërore për lëshimin e raketave, Vitaly Melnikov.

Rrethanat e sakta të vdekjes së tij janë ende të paqarta, por hetimi “paraprak” tregoi se “burimi i helmimit ishin kërpudhat e pangrënshme”, shkruan gazeta ruse.

“Megjithë kujdesin intensiv mjekësor, mjekët nuk ishin në gjendje të shpëtonin Melnikovin, i cili ishte shtruar në spital pas nisjes së anijes kozmike më 11 gusht”, shkruante Moskovsky Komsomolets.

Melnikov ishte kreu i departamentit të raketave dhe sistemeve hapësinore në RSC Energia, një nga kompanitë kryesore hapësinore në Moskë. Ai ishte gjithashtu një studiues kryesor në një divizion të agjencisë ruse të hapësirës Roskosmos. Me gjithsej 291 artikuj shkencorë, Melnikov gëzoi një reputacion të madh në mbarë botën dhe bashkëpunoi ngushtë me kolegët e tij të huaj.

Misioni i parë hënor i Moskës në gjysmë shekulli, i quajtur Luna-25, përfundoi në katastrofë: sonda u rrëzua në sipërfaqen hënore më 19 gusht. NASA, në fakt, publikoi video nga vendi i përplasjes.

Anija kozmike pa pilot dështoi të ulej në Hënë, megjithëse u rrotullua rreth Hënës dhe dërgoi fotografi të satelitit të Tokës.

“Ndoshta ka pasur një problem me elektronikën dhe sistemet e kontrollit të orientimit. Ne e dimë se datat e nisjes së Luna-25 janë shtyrë përpara dhe me radhë për disa vjet, ndoshta pesë vjet. Kjo është bërë vetëm për shkak të problemeve me elektronikën, për shkak të Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë”, thekson analisti rus i hapësirës Vitaly Yegorov.

Kreu i Roscosmos, Yuri Borisov, e kishte cilësuar që në fillim projektin si “të rrezikshëm”. Ai madje thuhet se i tha presidentit Putin në qershor se shanset e suksesit të projektit ishin “rreth 70%.


Shtuar 2.09.2023 07:28