Plagoset deputeti serb Miletic; Kuvendi, presidenti dhe EULEX denojne aktin
Albeu.com
Plagoset me armë zjarri në veri të Mitrovicës deputeti serb i kuvendit të Kosovës Petar Miletic. Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti.Hoti tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 7:00 të mëngjesit të sotëm, ndersa Miletic ishte nisur me makinën e tij në punë.

Kuvendi i Koosves reagon ndaj sulmit kunder Miletic

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e cilësuan si atentat sulmin e sotëm ndaj deputetit Petar Miletiç, i cili nga të shtënat në drejtim të tij, është plagosur në këmbë, ndërsa po dilte nga banesa në veri të Mitrovicës. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se pas zhvillimeve të fundit në Mitrovicë, qëndron politika serbe e Beogradit.

Sejdiu denoi aktin

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dënoi ashpër sulmin me armë zjarri ndaj deputetit të Partisë së Pavarur Liberale dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Republikës së Kosovës, z. Petar Miletiq, para banesës së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.

“Sulmi ndaj z. Petar Miletiq, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe drejtues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, i cili vepron në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës, është një akt i shëmtuar kriminal, i cili drejtohet drejtpërdrejt kundër paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe të ardhmes së përbashkët të të gjithë qytetarëve të vendit”, thuhet në reagimin e Presidentit Sejdiu.

“Angazhimi këmbëngulës i deputetit Miletiç për një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie e besimi, për tolerancë, për bashkëpunim dhe mirëkuptim në mes të gjithëve njerëzve të vullnetit të mirë ka bërë që ai të ketë respektin e qytetarëve anekënd Kosovës, por jo edhe të
atyre që nuk u përshtatet rendi dhe ligji”, tha Presidenti Sejdiu.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të punojnë për zbardhjen sa më të shpejtë e këtij rasti dhe vënien e fajtorëve përpara drejtësisë.

Edhe EULEX denon atentatin ndaj Miletic

Edhe EULEX dënoi fuqishëm plagosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiq, që ndodhi në Mitrovicën këtë mëngjes. “EULEX kërkon kthimin e qetësisë dhe bën thirrje për sjellje të përgjegjshme nga të gjitha palët. Përdorimi i dhunës është plotësisht i papranueshëm. EULEX do të mbështes Policinë e Kosovës në hetimet e tyre në gjetjen e autorëve të ngjarjes tragjike të së premtes dhe plagosjen e deputetit. Spekulimet se cilat mund të jenë rezultatet e këtyre hetimeve janë të padobishme. Në çdo hetim kriminal, dëshmitë duhet të grumbullohet dhe të kontrollohen nga hetuesit dhe prokurorët me saktësi maksime para se jepet ndonjë përfundim”, ka deklaruar, Karim Limdal, zëdhënëse e EULEX-it. (albeu/agjencite)
Shtuar më 05/07/2010, ora 13:15
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori