"Plaga" e banesave, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve propozon zgjidhjen e shkurtër
Kreu i Shoqatës së Ndërtueseve, Artan Dulaku ka propozuar një tryezë trepalëshe me qeverinë, sistemin bankar dhe ata që posedojnë apartamente pasi në këtë formë sipas tij të mund t’i jepet një zgjidhje shumë e shpejtë problemit të banesave, pas situatës katastrofike të krijuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertët tanë si shoqatë që të bëhet inventari sa më parë i banesave, për të përcaktuar kush janë të shëndetshme dhe kush janë të pashëndetshme. Do të ishte hapi i parë për të qetësuar situatën, por edhe për të shmangur kakofoninë, ku sot gjithkush po bën ekspertin. Për ne ishte një test jo i paktë, që tregoi se në Shqipëri nuk është ndërtuar siç duhet. Gara për rindërtimin është një garë që fillon sot e mbaron pas 3 vitesh. Nga eksperienca si Italia, akoma nuk i kanë rehatuar të pastrehët.

Kemi një situatë anormale në Durrës dhe Tiranë, ku kemi një fond gjigant shtëpisë të pashfrytëzuara. Janë mbi 2500 banesa, dhe thelbi i orientimit të mbledhjes së sotme do të ishte jo të merremi me fondacionin, por kam një lajm të keq për kryeministrin, ngarkesën do ta mbajë si gjithmonë i zoti i shtëpisë, që është qeveria.

Duhet të përgatitemi që tani, fatura deri në 300 milionëshe e tërmetit duam apo s’duam do bjerë mbi shpatullat e ministrit Ahmetaj dhe kryeministrit, që do e shpërndajnë pastaj mbi shpatullat e atyre që do merren me këtë punë.

Unë sugjeroj të shikohet mundësia që të bëhet një tavolinë trepalëshe, mes qeverisë, sistemit bankar dhe atyre që posedojnë këto apartamente që e kalojnë atë stresin e tërmetit dhe të gjendet një zgjidhje e shpejtë. Në këtë mënyrë, në një periudhë shumë të shkurtër ne mund t’i japim zgjidhje asaj që është plaga e banesave të ndërtuara. Është një veçori e jona, që kemi një superprodhim. Do ketë padyshim nevojë për ndërtime të reja, do ketë nevojë që çerdhe e kopshte të bëhen nga e para, por ky kontigjen është aty, do flejë dhe për 100 vitet e ardhshme. Ndërsa fondet që janë në qarkullim, do hyjnë në shpejt dhe do çlirojnë edhe rezervat në ekonomi”, tha Dulaku. /albeu.com/
Shtuar më 01/12/2019, ora 17:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori