Pika kontestuese ne marreveshjen PDK-LDK
Albeu.com
PDK dhe LDK duket se e kanë harruar marrëveshjen që nënshkruan në janar të vitit 2008. Këto ditë ato u shprehën të gatshme të hyjnë në koalicione parazgjedhore, në garën për komuna. Kjo u ndalohet atyre, në bazë të pikës 3 të Marrëveshjes së koalicionit qeverisës.Hajredin Kuçi është i vetëdijshëm për këtë, por Lutfi Haziri ka një interpretim tjetër. Koalicioni po rrëshqet në një debat që nuk të kalojë pa pasoja.

***

Një nen i marrëveshjes për koalicion ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës duket se do të prishë shumë plane në projeksionet e partive politike për koalicione parazgjedhore. LDK’ja është shprehur shumë e interesuar kohëve të fundit për të hyrë në raporte kontraktuale parazgjedhore me partitë e tjera, në përpjekje për ta rikthyer kontrollin në komunat të cilat i humbi në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007.

Por, para se t’i bindë partitë për koalicione parazgjedhore, ajo duket se do t’i duhet t’i hyjë një beteje tjetër: qartësimin e asaj për të cilën është marrë vesh me PDK’në kur ka vendosur të jetë partnere me të në koalicionin qendror.
Në janar të vitit 2008, PDK’ja dhe LDK’ja nënshkruan marrëveshjen me të cilën ato si dy partitë më të mëdha në vend do të hynin në koalicion qeveritar. PDK’ja mori kryeministrin, një zëvendëskryeministër dhe shtatë ministri, kurse LDK’së i mbeti presidenti, një zëvendëskryeministër dhe pesë ministri.

Në ndërkohë, dy ministritë e reja të krijuara - ajo e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Forcës së Sigurisë u ndanë ashtu siç ishte parashikuar me marrëveshje. E para për LDK’në, kurse e dyta PDK’në. Deri këtu, krejt në rregull.

Është një pikë në këtë marrëveshje që pritet të jetë objekt trajtimi nga palët nënshkruese për sa kohë të zgjasë procesi përgatitor për zgjedhjet komunale të 15 nëntorit. Pika 3 e Marrëveshjes i obligon partitë që të mos bëjnë koalicione parazgjedhore me partitë e tjera. (nga Përparim Isufi, express)
Shtuar më 12/07/2009, ora 17:37
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori