Pijanecët organizojnë manifestim kulturor
Pëlqej
Albeu.com
Qyteti i Shkupit s’i përfill shqiptarët në aktivitetet e Çarshisë. Manifestimin “Tingujt e Çarshisë” do ta organizojë Qendra Kulturore Rinore, e cila akuzohej nga Qeveria për shpërndarje të alkoolit.Komisioni për kulturë i qytetit të Shkupit, ka zgjedhur si organizatore të manifestimit “Tingujt e Çarshisë” , Qendrën Kulturore Rinore (QKR), së cilës për një kohë të gjatë i ishte ndaluar veprimtaria, pasi akuzohej nga Qeveria për shpërndarje të alkoolit. Pra, kjo qendër plot dy ditë do të duhet të organizojë manifestime kulturore në Çarshinë e Vjetër.
Dhe, derisa Komisioni i kulturës i qytetit të Shkupit këtë manifestim madhështor ia beson një organizate që shpërndanë alkool, projekti i Shoqatës së Esnafëve të Çarshisë së Vjetër është refuzuar pa kurrfarë arsyetimi
Udhëheqësja e sektorit për çështje publike pranë qytetit të Shkupit, Tanja Ballaç të enjten në një konferencë për shtyp tha që u mbajt pikërisht për rezultatet e konkursit të komisionit në fjalë, tha se projekti i esnafëve nuk erdhi në konkurs. “Jemi të njoftuar me projektin e esnafëve që e kanë sjellë para një viti, por megjithatë ai projekt nuk erdhi në konkurs”, tha ajo. Madje, ajo u arsyetua me fjalët se esnafët nuk qenkan të aftë të organizojnë një manifestim me ato parametra. QKR, sipas Ballaç, do të bashkëpunojë me ta për të përfunduar gjithçka me sukses.
Nga ana e tij, kryetari i Shoqatës së Esnafëve, Nexhbedin Hoxha thotë se projekti është dorëzuar në kohë në konkursin e shpallur nga qyteti i Shkupit. “Ne kemi vulën e kuvendit, ku projekti është dorëzuar më 29 mars, ndërsa afati ka qenë deri më 30 mars. Nuk mund të gënjehet aq lehtë”, thotë Hoxha . Madje, sipas tij projekti i tyre ka shërbyer edhe si ide për realizimin e këtij manifestimi. Për esnafët është e çuditshme se si mund ta fitojë konkursin një organizatë, që kërkon ndihmë prej tyre dhe Komunës së Çairit për përgatitjen dhe realizimin e projektit. “Më vjen shumë keq nga veprimi i Kostovskit. Dyshojmë se ai nuk ka informata për atë që ndodh në zyrat e tyre”, thotë Hoxha.
Duke u nisur nga e gjithë kjo, Hoxha thotë se esnafët do të distancohen nga ky manifestim dhe nuk do t’i japin asnjë lloj ndihme QKR. “Nuk duam të komprometohemi, prandaj e diferencohemi nga ky manifestim. Nuk i japim as ndihmë QKR –së, pasi kemi frikë se mund të na turpërojnë edhe ne”.
Anëtarja e Komisionit për kulturë në qytetin e Shkupit, Teuta Damjani tha se shumë shpesh përgjigjja sillet vërdallë dhe Sektori për çështje publike në mënyrë jo kompetente dhe jo profesionale, me qëllim apo pa qëllim nuk i aprovon projektet që kanë të bëjnë me kultura të tjera. “Informata të sakta nuk kemi nga administrata e qytetit dhe ne si anëtarë të Komisionit për kulturë, jemi komplet të dëshpëruar”, tha ajo. Damjani, të enjten, në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të qytetit, kërkoi përgjigje nga Tanja Ballaç edhe për anulimin e projektit tjetër të ofruar nga Qendra Teatrore për Fëmijë (QTF) për manifestimin “Tingujt e Çarshisë”. “Komisioni për kulturë e ka miratuar projektin e QTF-së më 8 nëntor të vitit 2005, dhe ky projekt është nënshkruar dhe nga prefekti i qytetit Trifun Kostovski, ndërsa Ballaç, i ka kthyer përgjigje drejtorit të qendrës, se komisioni nuk ka pasur mbledhje dhe nuk ka diskutuar për këtë çështje, gjë që nuk është e vërtetë, pasi unë jam anëtare e komisionit dhe e kam në dorë procesverbalin, ku komisioni dhe prefekti kanë dhënë aprovim”, tha Damjani. Kësaj akuze, Ballaç nuk ishte në seancë që të përgjigjej.
Manifestimi “Tingujt e Çarshisë” do të jetë më 14 dhe 16 prill.

nga ANILA DISHA, Lajm
Shtuar më 08/04/2006, ora 13:12
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori