Për shkak se fshehën pasurinë, masat e menjehershme janë ndërmarë për një gjyqtar dhe prokuror në Elbasan, të cilët janë pezulluar. Nga hetimi ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur deklarime të rreme në formularin e deklarimit të pasurisë, lidhur me aktin e shitjes së një apartamenti.
"Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës (Njësia Task-Force), gjykata vendosi masën ndaluese të “Pezullimit nga detyra” deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit për gjyqtarin e gjykatës së rrethit gjyqësor Elbasan,
Qani Hasa dhe për prokurorin e rrethit gjyqësor Elbasan, Pertef
Asllani, të akuzuar për veprën penale të “Fshehjes, mosdeklarim dhe deklarim i rremë i pasurisë”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Deri në fazën aktuale të hetimit, të nisur në prill 2015, pas kallëzimit të ILDKPKI, dy shtetasve u është komunikuar akuza dhe janë duke përfunduar hetimet. Nga hetimi ka rezultuar se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë paraqitur deklarime të rreme në formularin e deklarimit të pasurisë lidhur me aktin e shitjes së një apartamenti, i cili ishte në pronësi të shtetasit Pertef
Asllani dhe që nëpërmjet një kredie të butë nga Enti i Banesave, dega Elbasan, i është shitur shtetasit
Qani Hasa.
Nga hetimi rezulton se
shtetasi Qani Hasa, me funksion “gjyqtar”, ka përfituar një kredi të butë nga Enti i Banesave për blerje apartamenti në qytetin e Elbasanit, pasi sipas legjislacionit në fuqi, i takonte për shkak se ushtronte funksionin në një qytet larg vendbanimit të tij të përhershëm (Tiranë). Dhe sipas dokumentacionit të administruar, rezulton se ai ka bërë kontratë shitjeje me shtetasin Pertef
Asllani, me funksion “prokuror”.
Për këto lëvizje financiare, duke qenë se të dy shtetasit janë subjekte të deklarimit të pasurisë, kanë paraqitur në formularët e pasurisë pranë ILDKP-së ndryshimet përkatëse; pra,
shtetasi Qani Hasa deklaron se ka blerë shtëpinë e shtetasit Pertef
Asllani, ndërsa ky i fundit deklaron në formular se ka marrë shumën prej 3.3 milionë lekë për shitjen e apartamentit.
Por, nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës rezultoi se
shtetasi Qani Hasa, pavarësisht se ka
deklaruar blerjen e apartmentit të shtetasit Pertef
Asllani, në realitet ka blerë një apartament në Tiranë. Ndërkohë,
shtetasi Pertef
Asllani, pavarësisht se ka
deklaruar se ka marrë shumën e parave nga
Qani Hasa, të cilat edhe i ka
deklaruar, në fakt nuk i ka marrë këto para nga
Qani Hasa, por ka jetuar në atë apartament që prej vitit 2003, kur
shtetasi Hasa ka
deklaruar që e ka blerë, deri në vitin 2013, kur këtë apartament i'a ka shitur një
shtetasi tjetër.
Po ashtu, rezulton se
shtetasi Qani Hasa nuk ka
deklaruar në formularin e pasurisë për vitin 2013 shumën prej 2.000.000 (dy milion) leke. Këtë shumë ai e ka
deklaruar në vitin 2014, ndërkohë që në cilësinë e subjektit të ligjit “për deklarimin e pasurive…” ka pasur detyrimin ligjor që ta deklaronte që një vit më parë.
ILDKP, në kallëzimin e saj, kërkonte ndjekjen penale për shtetasin
Qani Hasa, edhe për veprën penale të “Korrupsionit aktiv….”, pasi, sipas materialit referues, ky shtetas ka tentuar t’i ofrojë para një zyrtari të ILDKP për të mos vijuar me penalitetet që parashikon ligji për shkak të shkeljeve të tij.
Nga ana e Prokurorisë Tiranë janë marrë deklarimet e zyrtarit të ILDKP, i cili ka
deklaruar se
shtetasi Qani Hasa ka tentuar t’i ofrojë një shumë parash (të papërcaktuar) në ashensorin e godinës së institucionit. Ndërsa, i pyetur lidhur me këtë fakt,
shtetasi Qani Hasa ka
deklaruar në Prokurori se nuk i ka ofruar para zyrtarit të ILDKP, por vetëm numrat e kontaktit, ku mund të kontaktohej për problematikat e kontrollit që po kryente institucioni.
Duke qenë se ambjenti ku mendohet se ka ndodhur kjo ngjarje është i pamonitoruar nga kamera, si edhe në pamundësi për të përfituar të dhëna të tjera të plota dhe të pakundërshtueshme që të mbështesin deklarimin e zyrtarit të ILDKP, dyshimi për veprën penale të “korrupsioni aktiv…” mbetet i paprovuar. /albeu.com/
Shtuar më 08/05/2015,
ora 14:45