Pezullohen 3 policë në Lezhë pasi transportuan viktimën me kamionçinë
Një kufomë e transportuar me kamionçinë pas një aksidenti të ndodhur në autostradën Lezhë-Laç, ka sjellë edhe pezullimin nga detyra të tre punonjësve të Policisë Rrugore të Lezhës.

Me anë të një deklarate për mediat, policia e këtij qyteti ka raportuar lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

"Më datë 25.04.2015, rreth orës 06.10, në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Lezhë, ka ardhur një telefonatë se në superstradën Lezhë–Laç, në vendin e quajtur Ishull Lezhë, ndodhej një shtetas i shtrirë në anë të rrugës.

Menjeherë në drejtim të vendit kanë shkuar shërbimet e policisë rrugore dhe patrulla e përgjithshme, ku është konstatuar se shtetasi Gëzim Sulaj, rreth 60 vjeç, banues në lagjen “SMT” Lezhë, kishte humbur jetën.

Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje nga grupi hetimor rezulton se gjatë natës, këtë shtetas e ka përplasur një automjet, ku për pasojë ka gjetur vdekjen, ndërsa automjeti është larguar nga vendi i ngjarjes.

Në Spitalin Rajonal Lezhë ka shkuar Patrulla e Përgjithshme e Policisë, ku është kërkuar ambulanca, por spitali nuk ka pranuar të dërgojë asnjë auto-ambulancë apo makinë të morgut për të transportuar kufomën. Në lidhje me refuzimin nga ana e Spitalit për të mos dërguar makinë në vendgjarje për të transportuar kufomën, nga ana e policisë është plotësuar raporti i shërbimit.

Duke u ndodhur në këto rrethana, trupi i viktimës është mbështjellë me një batanije dhe është transportuar drejt morgut për ekspertizë mjeko-ligjore, me një kamionçinë e cila është gjetur rastësisht në vendngjarje. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e drejtuesit të automjetit.

Lidhur me mos marrjen e masave nga ana e personelit të urgjencës së spitalit dhe të morgutspitalit për transportin e viktimës nga vendi i aksidentit në drejtim të morgutspitalit, Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, po punojnë për dokumentimin ligjor të këtij rasti dhe ndaj personave përgjegjës do fillojë procedimi penal për veprën penale "Shpërdorim detyre".

Në deklaratën për media thuhet më tej se "punonjësit e policisë, konkretisht tre punonjës të policisë rrugore dhe një Specialist i Seksionit të Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë janë pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tyre ka filluar ecuria disiplinore për shkelje të rëndë të “Kodit të etikës” dhe "Procedurave standarde të punës”. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2015, ora 16:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori