"Pezullimi i Haki Çakos, një sulm i pastër politik"
Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Fadil Canaj, deklaron se pezullimi nga detyra i Haki Çakos është një sulm i pastër politik.

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, bashkë me disa ish-drejtues të tjerë të policisë, Cana tha se nuk ka asnjë provë që përligj vendimin e gjykatës.

“Derisa deri më sot nuk ka asnjë pasojë, pra nuk është vërtetuar se është përgjuar dikush në rrugë të paligjshme, pezullimi nga detyra i drejtorit Çako është i paligjshëm”, deklaroi Cana.

Sipas tij, ky është një sulm i pastër politik që në këto 25 vite është bërë rregullisht në Shqipëri ndaj drejtuesve të policisë së shtetit sa herë që ka një përplasje mes forcave të mëdha politike.

Ish-kryepolici Canaj shkoi më tej kur tha se e gjithë kjo mund të ketë lidhje edhe me reagimin e disa grupeve kriminale që janë ndjerë të rrezikuar nga lufta që ka bërë dhe bën policia e shtetit.

“Në kujtesën time gjatë ushtrimit të detyrës si drejtor i përgjithshëm i policisë, sa herë që lufta ndaj krimit intesifikohej edhe sulmet ndaj meje dhe policisë intesifikoheshin”, tha Cana.

Nga 15 drejtorë të përgjithshëm të policisë së shtetit që ka patur policia shqiptare që nga 1991 e deri më sot, ndaj dy prej tyre gjykata ka vendosur masë sigurie në momentin që ata ushtronin detyrën.

I pari ka qenë Veli Myftari në nëntor të vitit 2002 kur ai u arrestua në detyrë për skandalin e pasaportave por që gjithçka rezultoi një farsë e turpshme politike dhe për këtë ai mori pafajësinë.

Rasti i dytë është me Haki Çakon, kur pak ditë më parë gjykata vendosi për të pezullimin nga detyra pas hetimeve për pajisjen e përgjimit. Cana shprehu bindjen se shumë shpejt gjykatat do të çojnë drejtësinë në vend duke hequr masën e pezullimit dhe Haki Çako do të rikthehet sërish në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. /albeu.com/
Shtuar më 10/06/2016, ora 12:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori