E FUNDIT/ Aksident në Korçë, plagosen rëndë 4 persona
Peza: Pse Ilir Meta e humbi të drejtën për të qëndruar në zyrën e Presidentit!
Nga Alfred Peza
Zgjedhjet “do të zhvillohen më 30 Qershor do apo sdo Saliu, Ilir, Luli dhe Monika”,- tha Kryeministri Edi Rama sot në Burrel, një ditë pas njoftimit të Presidencës për anullimin e kësaj date. Ilir Meta do dalë në konferencë shtypi të hënën, në orën 08.00 për të dhënë argumentat ligjore, kushtetutese e logjike, që e çuan drejt vendimit për shfuqizimin e Dekretit Nr. 10928, datë 05.11.2018.

Janë thënë e shkruar shumë rreth bazës ligjore ku Ilir Meta do të mundohet që ta justifikojë vendimin e tij. Konstitucionalistët, besojnë se e vetmja gjë që i vjen në ndihmë në këtë rast, duhet të jetë neni 116 pika 1, e Kodit të Procedurës Administrative: “Një akt administrativ i ligjshëm mund të shfuqizohet, vetëm nëse shfuqizimi është i domosdoshëm për të parandaluar apo eliminuar një dëmtim serioz të jetës dhe shëndetit të njerëzve apo sigurisë publike dhe kjo nuk mund të bëhet në mënyra tjera…”

Sipas Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, Vendimi Nr. 150/2017 çdo dekret i Presidentit, pavarësisht se çfarë rregullon përmbajtja e tij, përbën një Akt Administrativ Individual. Nisur nga kjo, nga situata politike në vend dhe nga parimi se çdo organ publik mund ta revokojë aktin e vet të mëparshëm, besohet të kemi tri kolonat mbi të cilat Ilir Meta do ngrejë alibinë e tij për hapin ekstrem të hedhur.

“Avokatët e djallit” dhe kushdo tjetër që kërkon ta çojnë deri në fund këtë “grusht shteti” Presidencial, gjithmonë do gjejnë “lëndë” për ta gatuar çorbën e tyre. Mjafton që të arrihet synimi i afishuar i Sali Berishës: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita!” Halli i vetëm dihet tashmë që është zhbërja e reformës në drejtësi, ku Kryeministri është pengesa kyçe. Ndaj e gjithë ajo pjesë e kriminalizuar dhe e korruptuar e elitës opozitare që ka frikë nga ndëshkimi, “është bërë një” kundër tij.

Ajo që nuk ka llogaritur pas kësaj Ilir Meta dhe ata që e nxisin apo e këshillojnë, janë pyetjet:

Bashkë me shfuqizimin, a do të caktojë Presidenti i Republikës, një datë të re zgjedhjesh për pushtetin vendor në Shqipëri? Sipas nenit 92 të Kushtetutës, pika “gj”, Presidenti ushtron mes të tjerash edhe kopetencën e “caktimit të datës së zgjedhjeve për… organet e pushtetit vendor”. Sipas Kodit Zgjedhor, neni 10; “data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës”.

Nëse anullimi i datës së zgjedhjeve është një vendim “nul” e i pazbatueshëm, siç është sqaruar gjerësisht, caktimi i datës së re të zgjedhjeve “për organet e pushtetit vendor” është detyrim. Është kopetencë presidenciale. Pra është DETYRË. Nëse Ilir Meta nuk e ushtron këtë DETYRË KUSHTETUESE, edhe kaq do të mjaftonte që Parlamenti të mblidhej, për ta shkarkuar atë.

llir Meta është e sigurtë që nuk do ta zbatojë këtë kopetencë dhe as do ta kryejë këtë DETYRË që i ngarkon Kushtetuta. Por edhe nëse do të donte, ai NUK mundet. Për një arësye fare të thjeshtë. Neni 8 i Kodit Elektoral specifikon se “zgjedhjet e për njësitë e qeverisjes vendore zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 marsi deri më 30 qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”.

Pra zgjedhjet duhen zhvilluar brenda 30 Qershorit, pasi mandati i Kryetarëve të Bashkive e këshilltarëve bashkiakë, është plot 4 vjeçar. Konstituimi i tyre në 61 bashkitë, është bërë në 10 ditët e para të korrikut 2015, e për rrjedhojë mandati u përfundon në korrik 2019. Pas kësaj, asnjë qytetar shqiptar nuk mund të përfitojë dot asnjë shërbim nga pushteti lokal, pasi askush nëpër bashkitë e vendit nuk do të pranonte të firmoste për të shkuar në burg, pasi i humbet e drejta ligjore e përfaqësimit politik dhe e firmës.

Siç shihet, e gjithë kjo situatë që synohet të krijohet (shkuarja e vendit në kolaps për ta detyruar Edi Ramën të iki si Kryeministër) e tejkalon nenin 116 pika 1 të Kodit të Procedurës Administrative. Sepse dëmi që sjell Ilir Meta, me anullimin e 30 Qershorit “për të parandaluar apo eleminuar një dëmtim serioz të sigurisë publike…” do të jetë shumë herë më i madh për Shqipërinë. Sepse ky shteg i errët ku ai kërkon të na fusë, dëmton edhe më shumë jo vetëm sigurinë publike, por edhe për vetë rendin ligjor, kushtetues dhe sistemin politik e demokratik të vendit.

Kaq mjafton për të kuptuar se përse Ilir Meta e ka humbur tashmë të drejtën për të qëndruar më tej në zyrën e Presidentit të Republikës. Gongu ka rënë. Loja sapo ka filluar. Java e re që po nis, do të jetë shumë interesante. Ju siguroj!
Shtuar më 09/06/2019, ora 16:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori