Petersen porositi liderët që të jenë gati për procesin e negociatave
Albeu.com
Shefi i UNMIK-ut, Jesen-Petersen i porositi edhe sot liderët e institucioneve që të jenë gati për procesin e negociatave. Pas takimeve me presidentin Ibrahim Rugova dhe kryeparlamentarin Nexhat Daci, ai tha se pret që Kuvendi të mblidhet së shpejti dhe ta miratojë Rezolutën, e cila do të jetë udhëzuese e delegacionit të bisedimeve.Ndërkaq, presidenti tha se takimi i ekipit, i thirrur për nesër në rezidencën e tij, do të mbahet edhe nëse ndonjëri nga anëtarët nuk do të marrë pjesë.

Një ditë pas kthimit nga Nju Jorku, shefi i UNMIK-ut, Jesen-Petersen, u takua me presidentin Ibrahim Rugova dhe me kryeparlamentarin Nexhat Daci, që t’i porosisë ata të jenë gati për procesin e negociatave. “Nuk ka më kohë për përgatitje, por ekipi duhet të jetë gati”, u shpreh Petersen, duke paralajmëruar që së shpejti në Prishtinë të vijë edhe i dërguari i posaçëm për statusin, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisari.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që ekipi të jetë gati, nën udhëheqjen e presidentit, dhe pres që së shpejti të mblidhet edhe Kuvendi për ta miratuar Rezolutën, e cila do të jetë udhëzuese e delegacionit për procesin e bisedimeve”.

Presidenti Rugova i kërkoi zotit Petersen që edhe më tutje të ndihmojë në procesin e definimit të statusit, ndërsa sa i përket takimit të thirrur për nesër të ekipit negociator, tha se ai do të ndodhë, me ose pa pjesëmarrjen e ndonjërit nga anëtarët.

“Unë do ta mbaj takimin, erdhën apo s’erdhën. Kemi legjitimitet.... Agjenda dihet... i kemi disa çështje teknike, dokumente të ndryshme, materiale... grupi i ekspertëve, e të tjera. Do t’iu njoftojmë, mirëpo disa gjëra janë... s’po them sekrete, por konfidenciale”.

“Në këtë takim do të sqarohen shumë gjëra, përfshirë edhe atë të grupeve punuese”, theksoi ndërkaq, kryeparlamentari Daci.

“Janë në përgatitje e sipër dhe për këtë do të ketë sqarime të mira nesër. Po ashtu, do të sqarohet shumëçka... që Rezoluta e propozuar nga PDK-ja të mos jetë pjesë e lojës politike. Parlamenti është i përgatitur dhe me konkluzat e seancës plenare ka qenë i qartë”.

Ndërkohë që ende nuk është konfirmuar vetëm pjesëmarrja e liderit opozitar, Hashim Thaçit, presidenti la të kuptohet se puna do të vazhdojë edhe pa të. Ai tha se çështja e unitetit është bërë mit negativ, dhe se faktori politik është i bashkuar në mënyrë demokratike.

“Do të thotë e kemi pushtetin legjitim në Kosovë, ndërsa unë kam shprehur dëshirën dhe kam bërë hapa që të jetë edhe opozita me ne në këtë moment të rëndësishëm, që të jemi së bashku. Por, gjithsesi institucionet do të vazhdojnë punën dhe e kanë legjitimitetin që të bisedojnë për të gjitha çështjet”.

Kurse, kryeparlamentari Daci u shpreh i bindur se në takimin e nesërm do të thyhen të gjitha dilemat rreth mosunitetit të faktorit shqiptar.

“Unë nuk jam i përgatitur ta paguaj atë çmim, as personalisht as për Kosovën. I premtova edhe zotit Petersen se do të bëjmë maksimalen dhe mbimaksimalen. E imja është mbimaksimale dhe unë jam i përgatitur që të gjitha dilemat t’i thyejmë nesër bashkërisht”.

Derisa kreu i partisë së dytë opozitare, Veton Surroi tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen, zyrtarë të Partisë Demokratike thanë se përgjigja e liderit të saj pritet të mësohet gjatë ditës. Sidoqoftë, zyrtarë të kësaj partie njoftuan se nesër paradite shefi i UNMIK-ut do të takohet edhe me Hashim Thaçin.

Arben Fetoshi, Radio Kosova
Shtuar më 27/10/2005, ora 20:38
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori