Petersen fton KS që, gjatë kësaj vere, ta fillojë vlerësimin e standardeve për Kosovën
Pëlqej
Albeu.com
Shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen, i bëri sot thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të fillojë vlerësimin e standardeve për Kosovën gjatë kësaj vere.Duke folur para ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit Jesen Petersen vlerësoi se në tre muajt e fundit janë shënuar shumë përparime në Kosovë. Por, ai tha se ndanë të njëjtën pikëpamje edhe me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës se ka mbetur edhe shumë punë për t’u bërë në mënyrë që Kosova të shndërrohet në një vend demokratik dhe shumetnik.
Beogradi, sipas Jessen-Petersenit, duhet ta ndërpresë përçimin e mesazheve frenuese për serbët e Kosovës. Është shumë e rëndësishme që Beogradi të inkurajojë serbët të përfshihen në këtë proces dhe në përgjithësi në institucionet e Kosovës, tha Jessen-Petersen, duke shtuar se kjo, para së gjithash është në të mirën e tyre.

Sipas tij, procesi i përmbushjes së standardeve ka ecur përgjithësisht mirë. Ndërsa, sinjalet se negociatat për statusin politik do të hapen, sipas kreut të UNMIK-ut do të ndihmojë në ecjen përpara drejt një Kosove demokratike dhe të gatshme për integrimet rajonale e evropiane.

Shefi i UNMIK-ut në raportin e tij përmendi përparime edhe në aspektin e sigurisë, lëvizjes së lirë dhe kthimit të të zhvendosurve. Ndërsa, shenja inkurajuese ai përmendi në fushën e zhvillimit ekonomik, përmes lejimit të kredive nga ana e Bankës Evropiane dhe dinamizmit të procesit të privatizimit.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i Serbisë Nebosjha Çoviq. Edhe kësaj radhe ai ka paraqitur fakte dhe argumente që nuk përkojnë me realitetin e Kosovës. Madje Çoviq e ka vlerësuar si të njëanshëm raportin e Jesen Petrsenit. Sipas Çoviqit hapja e bisedimeve për statusin final të Kosovës do të inkurajonte ekstremistët shqiptarë të cilët, siç tha Çoviq, do të kuptojnë se është duke u lëshuar pe para tyre.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të cilët debatuan në mbledhjen e sotme e kanë vlerësuar lart punën që po bënë Petersen në Kosovë.

Ambasadori amerikan ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të vazhdojnë me ngulm në zbatimin e standardeve. Ai tha se rezultati pozitiv i procesit në tërësi nuk nënkupton se çdo gjë ka mbaruar. Ai tha se standardet janë themelore për Kosovën edhe pas zgjidhjes së statusit.

Edhe ambasadori anglez ka shprehur përkushtimin e vendit të tij për ta ndihmuar krijimin e një Kosove stabile. Ai ka thënë në Këshillin e Sigurimit se disa pjesë të raportit të paraqitur nga përfaqësuesi serb nuk përkojnë me realitetin në terren.

Ambasadori britanik i ka kërkuar Beogradit që t’i inkurajoj serbët e Kosovës që të kyçen në institucionet e Kosovës, si mënyra e vetme për t’i zgjidhur problemet.

Edhe diskutuesit tjerë kanë mirëpritur vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-s Kofi Anan për ta filluar vlerësimin e përgjithshëm të standardeve gjatë kësaj vere.

Në çastet e përfundimit të këtij raporti, diskutimi në takimin e KS të OKB-së është ende duke vazhduar. Radio Kosova
Shtuar më 28/05/2005, ora 00:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori